Lashë Romën për kecat e dhitë! Jetesa në fshat ‘trendi’ në rritje?

Sot në ‘Abc e Pasdites’ u diskutua mbi benefitet e jetës në fshat dhe se si qëndron ajo në paralelizëm me jetën metropolitane.

Të ftuarin ishin Gerta Çiçi, Gerta Loku dhe Dorart Bujari, të cilët ndan mendimet e tyre në lidhje me atë që quhet zonë rurale. Të tre ranë dakord në faktin se ushqimet bio, ajri i pastër dhe qetësia janë ndër faktorët më pozitiv që fshati sjell. Por cilat janë problematikat e jetës në fshat? Sipërmarrësja Gerta Loku theksoi faktin se zonat e thella rurale janë harruar dhe janë lënë në mëshirë të fatit, sidomos prej mungesës së rrugëve.

“Ka dhjetë vite, mbi dhjetë vite në fshatin ku jam unë tani sapo kanë nisur të shtrojnë pak çakull në hyrje të fshatit. Ne kemi mbetur ende te infrastruktura dhe te gjërat elementare, bazike. Unë flas për fshatrat e thella, jo për ato që Zoti ka dashur t’i vendosi afër një rruge të asfaltuar. Edhe vetë ne si popullësi rurale nuk presim më që shteti të vijë të na bëjë rrugën. Nëse dikur kam thënë rrugë, rrugë, tani them ndaç bëjini se i bëjmë vetë. Çështja po shkon edhe më thellë, sepse aty nuk ka më njerëz, dhe nuk ka se si të ketë rrugë.” – shprehu Loku, e cila la Romën dhe zhurmën e saj pasi për të nuk ka si jeta në fshat mes kecat dhe dhive.

Të njëjtën gjë shprehu edhe sipërmarrësi Dorart Bujari, i cili ka hapur biznesin e tij të agroturizmit në fshatit Shkallnur të Durrësit, ku mbas 5 vitesh investimesh më në fund u ndërtua një rrugë për atë fshat. Ai shtoi se mediat sociale kanë ndihmuar në krijimin e trendit të fundjavave në fshat, dhe shprehu se qytetarët që e vizitojnë kryesisht kërkojnë ushqimin bio. Megjithatë ende ky ushqim konsiderohet si luks.

“Janë mediat sociale që na japin frymë dhe ndihmë të pastër kundrejt asaj që ne ofrojmë. Dhe familjet e thjesht shqiptare duan që fëmijët të shohin çfarë ka natyra. Pse duhet të blejmë qumësht kartoni kur Shqipëria ka reliev mjaftueshëm për kaq pak banorë sa ka? Gjatë kohës së karantinës njerëzit janë detyruar të hanë produkte të mbetura. Pse? Se fshati mund të ketë produkte por njerëzve nuk i intereson. Ende konsiderohet si luks.” – tha ai.

Ndërkohë influencuesja Gerta Çiçi tha se ajo është një vajzë qyteti dhe nuk e koncepton dot ndryshe jetën e saj, larg kaosit dhe shpejtësisë që një metropol të jep. Megjithatë ajo ka parë një rritje të interesit për zonat rurale.

“Është bërë trend, jo për të jetuar për brezin tim, por për të kaluar 2 ditë ndryshe në fshat. E shoh edhe në fotot, fshati duket i bukur vetëm në kuadriatin dhe kornizën e fotove, nuk e di për të jetuar. Unë jam vajzë qyteti.”

 


Shtuar 12.05.2022 18:37