Marrëveshja PD-LSI, ndarja e bashkive për 8 majin
Ilir Meta dhe Sali Berisha
Marrëveshja elektorale mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 8 majit është drejt konkretizimit. Burime konfidenciale nga dy forcat politike bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave pritet që të finalizohet dhe dokumenti elektoral për bashkëpunimin midis tyre.

Burimet saktësuan se pikat ku dy partitë kanë pasur diskutime të gjata për përcaktimin e kandidatëve kryesorë për Bashkinë e Durrësit dhe për atë të Elbasanit. Ndërkohë që për Bashkinë e Tiranës është rënë dakord që kandidati të jetë i Partisë Demokratike dhe ai do të mbështetet nga LSI.

Nga ana e PD, kandidatura më e mundshme duket të jetë Lulzim Basha, ministri aktual i Brendshëm. Burimet saktësojnë se në Tiranë, LSI-ja do të ketë kandidatët e saj në katër nga 11 njësi bashkiake, nisur dhe nga rezultati i zgjedhjeve të kaluara.

Sakaq, konfirmohet se gjatë ditëve të fundit është vendosurkandidati i koalicionit PD-LSI për qytetin e Durrësit do të jetë i Partisë Demokratike.

Ndërsa në qytetin e Elbasanit, kandidati për kryetar bashkie do të jetë i LSI. Burime nga LSI-ja thanë se kandidati më i mundshëm për qytetin e Elbasanit është ish-deputeti i PS-së dhe ish-prefekti i këtij qyteti Durim Hushi. Mësohet se Hushi prej disa muajsh është pjesë e strukturave të LSI-së.

Njëkohësisht, po vazhdon lufta e Jozefina Topallit për të vendosur si kandidat Ardian Turkun, ish kryetar bashkie në vitet 2000 dhe para dy vjetësh, për disa muaj, ministër Kulture, më herët dhe nënkryetar Parlamenti.

Ndërkohë që për qytetin e Durrësit, burime nga Partia Demokratike thanë se nuk është vendosur ende një emër konkret dhe se strukturat dhe drejtuesit e PD-së janë duke shqyrtuar disa kandidatura potenciale. Ferdinand Xhaferaj është një prej emrave kryesorë të diskutuar, por ende nuk ka një vendim të qartë.
Shtuar më 01/03/2011, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori