Rama telefonon Tsiprasin: Të forcojmë marrëdhëniet dypalëshe
Kryeministri Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun grek, Alexis Tsipras.

Kjo bisedë është bërë me kërkesë të Ramës. Mësohet se në këtë bisede telefonike, dy homologët kanë diskutuar lidhur me forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kryeministri Tsipras i ka dhënë rëndësi faktit që pala greke mbetet e angazhuar në këtë përpjekje, por ka theksuar se veprimet e kohëve të fundit dhe retorika nacionaliste në rritje minojnë konsolidimin e një klime të mirëbesimit të nevojshëm për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Në të njëjtën kohë, ai ka vënë në dukje nevojën për të gjeneruar me hapa konkretë rezultate konkrete në bashkëpunimin mes dy vendeve, fakt për të cilin Greqia ka nisur një seri iniciativash.

Tsipras ka theksuar gjithashtu se mbrojtja e të drejtave të pakicave etnike greke, përbën një çështje kryesore për marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe një kusht themelor për ecurinë europiane te Shqipërisë.

Lajmi në fjalë është transmetuar nga televizioni shtetëror grek ERT.

Sakaq, duke qëndruar në të njëjtën linjë, kryeministri Rama ka përcjellë në rrjetin social Facebook se ai sot do të jetë i pranishëm në televizionin "Skai".

"Sonte pak pas orës 22.00 në televizionin grek Skai me gazetarin e njohur Alexis Papahelas. Facebook Live (shpresoj me përkthim shqip), shkruan Rama në rrjetin social.

Tre ditë më parë, Rama deklaroi në Samitin e Diasporës se nuk e ka ndërmend të nënshtrohet më, dhe se marrëdhëniet kanë nevojë të ngrihen në një nivel tjetër tashmë. /albeu.com/



Shtuar më 22/11/2016, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori