Maqedonia u mohon shtetesine 100 mije shqiptareve
Albeu.com
Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së “Kalaja” ka ngritur zërin e protestës duke theksuar se rreth 100 mijë shqiptarëve u mohohet dhe nuk i jepet shtetësia e Maqedonisë. “MPB me këtë po bën racizëm shtetëror duke lënë mijëra ......shqiptarë në mënyrë kolektive pa të drejtën e tyre të shtetësisë, edhe ata që janë të lindur në këtë vend.

Një pjesë tjetër kanë mbi dhjetë vite që kanë krijuar familje me shtetas të Maqedonisë dhe u mohohet e drejta e shtetësisë, e drejta e punësimit edhe pse i plotësojnë të gjitha kushtet. Sipas statistikave të botuara nëpër media janë rreth 100 mijë shqiptar që pa të drejtë MPB u mohon shtetësinë duke i shpallur shpeshherë persona të rrezikshëm që rrezikojnë integritetin e Maqedonisë dhe qytetarët e saj”, ka bërë të ditur zëdhënësja e SHVL-së së UÇK-së “Kalaja”, Teuta Kamberi-Llalla.

Sipas saj, shqiptarëve që aplikojnë për përfitimin e shtetësisë së Maqedonisë u bëhet presion që të bëhen bashkëpunëtor të Sigurimit shtetëror DBK për të fituar shtetësinë. “Kalaja” ka theksuar se fshatrat e Karadakut të Kumanovës vazhdojnë të jenë pa të drejtën e shtetësisë, ndërsa sipas tyre, rreth 3.800 maqedonas të Shqipërisë në mënyrë të lehtë kanë fituar shtetësinë e Maqedonisë duke mos plotësuar asnjë kusht elementar duke shkelur kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë. Kjo shoqatë i ka bërë thirrje ministres së brendshme, Gordana Jankullovska të përgjigjet në pyetjen se: Edhe për sa kohë do të vazhdojnë shqiptarët të konsiderohen të huaj në vendlindjen dhe në familjet e tyre? Çështja e mos posedimit të shtetësisë së Maqedonisë vazhdon të tangoje një pjesë të popullatës shqiptare në Maqedoni. (ina)
Shtuar më 03/02/2010, ora 17:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori