Maqedonia para konfliktit nderfetar!?
Albeu.com
Maqedonia prej një mosmarrëveshje ndëretnike që është paraqitur që nga viti 1990 kur Maqedonia u shkëput nga Federata e ish-Jugosllavisë, duket se po rrëshqet drejt një konflikti shumë fatal që është ai fetar.
Veprimet e fundit të qeverisë, komunitetit maqedonas të fesë ortodokse dhe atij shqiptarë të fesë islame kanë ngritur shqetësimin në opinionin e gjerë dhe paralajmërojnë për një konflikt midis feve. Analisti politik, Albert Musliu pohon se kjo bëhet me qëllime të ndryshme, kryesisht të defokusohet opinioni nga problemet kruciale para të cilave ndodhet Maqedonia. “Pasi disa provokime të natyrës etnike nuk patën sukses, si enciklopedia, evidenca pedagogjike, maqedonishtja nga klasa e parë të cilat nuk kanë kaluar, tani u hodh problemi në lëmin, e cila është më senzibile, ajo e fesë. Ndërtimi i objekteve fetare në qendër të Shkupit është momenti më i pavolitshëm. Nuk mendoj se është e rastit. Për zhvillimin e këtij shteti duhet të përmbyllen negociatat e emrit me Greqinë dhe hapja e negociatave eurointegruese”, tha Musliu.
Profesori në fakultetin e shkencave islame, Ismail Bardhi pohon se kjo situatë çfarë është duke ndodhur në Maqedoni është gabim. “Gabimet në këtë vend
janë bërë një metodë e të jetuarit, mbi të cilin mbështetet ‘zhvillimi’. Ky është problemi kryesor. Asnjë parti politike nuk është në shërbim të fesë. Për fat te keq akoma feja është në shërbim të politikës”, sqaron Bardhi.
Ai përveç se fajëson shtetin fajëson edhe udhëheqësit e institucioneve fetare. “Kjo qeveri është duke shkuar drejt shkatërrimit dhe konfliktit që vetvetiu do të ndodhë. Diskriminimi kulturor, fetar është problem numër një në mbarë botën, kurse këtu tek ne kjo politikë zyrtare në mënyrën paradoksale është duke e ngulfatur momentumin njerëzor”, tha Bardhi.
Përkundër se në Maqedoni mund të tensionohet situata ndërfetare, luftë klasike sipas Alber Musliut nuk mund të ndodhë. “Luftë konfesionale si bëhet në Liban nuk mund të ndodhë. Jemi shumë brenda Evropës që nuk mund të ndodhë ndonjë luftë klasike. Situata tek ne është më e ndërlikuar, pasi ndërmjet etnikumeve të ndryshme ka fe të ndryshme. Mos të harrojmë se ne kemi shqiptarë, maqedonas, romë të dy konfesioneve etj, dhe është e pamundshme që vijë e ndarjes absolute të jetë çështja konfesionale. Unë mendoj se faktor stabilizues sërish janë shqiptarët, sepse korpusi shqiptar është më i gjerë se vet Maqedonia dhe nënkupton tolerancë ndërfetare”, tha Musliu.
Ndryshe, me projektin “Shkupi 2014” përveç se nuk është përfshirë aspak kultura shqiptare, është paraparë të ndërtohet në qendër të Shkupit “Kisha shën Elena dhe Konstatini”, kurse nuk është paraparë ndërtimi për xhaminë Burmali. (Bekri Ajdini, lajm)
Shtuar më 22/02/2010, ora 21:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori