Maqedonia nuk perfill raportet e BE dhe SHBA per burgjet
Albeu.com
Qeveria e Maqedonisë vlerësohet të mos ketë zbatuar rekomandimet nga raportet e Komisionit Evropian dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut, sidomos për kushtet dhe trajtimet e të burgosurve.
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, tha se të gjitha vërejtjet janë dhënë në raportin e institucionit që drejton ai dhe të njëjtat i janë adresuar Parlamentit të vendit, i cili deri më tani nuk kanë ndërmarrë në këtë drejtim asgjë.
“Në raportin të cilin e kemi dorëzuar Parlamentit të vendit, janë shënuar të gjitha brengat dhe sugjerimet e mia, se në çfarë gjendje, gjenden aktuale burgjet e vendit dhe trajtimi i të burgosurve. Brengat e mia kanë qenë të drejtuara në dy drejtime, atë të investimeve serioze në kapacitetet e brendshme të hapësirave, të cilat janë katastrofale, dhe trajtimi i mirëfilltë i personelit punonjës në këtë burgje duke filluar që nga personat e sigurisë, ata të edukimit, shëndetësisë, por edhe ato udhëheqëse”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit. Sipas tij, me këto kushte në të cilat aktualisht gjenden burgjet tona, nuk mund të ketë resocializim të mirëfilltë të të burgosurve.
Kritika të ashpra në këtë drejtim ka drejtuar edhe opozita ku sipas Radmila Sheqerinska, ky sistem për të burgosurit, nuk po përmirëson kriminelët, por po prodhon kriminelë të kalibrit të madh, duke mos u dhënë shans për t’u penduar për veprën e kryer.
“Edhe pse të gjitha instancat më të larta evropiane dhe ndërkombëtare, disa herë kanë drejtuar akuza qeverisë së vendit për kushtet e këqija të cilat janë nëpër burgje, ato si duket janë drejtuar tek veshët e shurdhur. Krimi më i madh, dhe që nuk mund të gëlltitet është ajo se ky trajtim i të burgosurve kalon çdo standard të një shteti demokratik, ku të burgosurit rrihen me gypat e ujësjellësit, dhe korrupsioni i cili u bëhet atyre, për t’i ofruar shërbime të ndryshme”, shtoi Sheqerinska. Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Mihajlo Manevski, së bashku me qeverinë kanë pohuar disa herë se në këtë drejtim janë planifikuar të harxhohen plot 56 milionë euro, për rikonstruktimin e burgjeve në Maqedoni, i cili duhet të përfundojë deri në vitin 2012, mjete të cilat shumica janë siguruar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Stërmbushja e burgjeve me njerëz dhe kushtet në të cilat ata jetojnë, edhe nga njohësit e mirë ty këtyre çështjeve nga vendi, janë cilësuar si çnjerëzore dhe poshtëruese. Pikërisht kjo ishte çështja më kryesore për të cilën opozita maqedonase kishte përgatitur një interpelancë për ministrin e Drejtësisë, Mihajllo Manevski, ku pas 12 orësh debati, nuk u pranua nga shumica e deputetëve.
Shtuar më 10/05/2010, ora 20:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori