Maqedonia mes luftes dhe paqes!
Albeu.com
Gjendja e sigurisë në Maqedoni nuk është stabile dhe në çdo moment pritet të zgjerohet dimensioni i krizës, shkruan sot “Lajmi” i Shkupit. Kapja e një sasie të konsiderueshme të armëve nga policia e Maqedonisë ditën e ...... mërkurë, ka lënë përshtypjen e fillimit të një konflikti të ri në Maqedoni. Pas sqarimit të rastit sipas versionit të policisë se operacioni ka qenë i suksesshëm, ndërsa është plagosur një pjesëtar i rojeve të këtij armatimi në skenë ka dalë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Katër ditë më vonë, në redaksinë e gazetës “Lajm” ka arritur Komunikata numër 1 e UÇK-së, ku sqarohet ngjarja e ndodhur më 28 prill 2010. “Njoftohet opinioni mbarëshqiptar në IRJM se në vendin e quajtur Studenë në Karadakun e Shkupit ku ndodhej një pikë e furnizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtarët tanë hasën në një pritë nga forcat e armatosura qeveritare sllavomaqedone, epilogu i së cilës ishte, një i vrarë nga pala armike si dhe një i plagosur lehtë nga ushtaret e njësitit për mbështetje logjistike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, thuhet mes tjerash në Komunikatën e nënshkruar nga Arben Selimi, sektori për informim i UÇK-së.

Në këtë komunikatë, e cila e ka vulën origjinale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, iu është bërë apel popullatës se UÇK-ja vazhdon aktivitetin e saj. “Ia bëjmë me dije gjithë opinionit shqiptarë se Ushtria Çlirimtare Kombëtare vazhdon me aktivitetin e sajë në mbarë hapësirën shqiptare në IJRM”, thuhet në fund të kësaj komunikate.

Porosinë e kësaj komunikate nuk ka preferuar të komentojë askush. Fazli Veliu, i njohur gjatë luftës së vitit 2001 si komandant “Daja” dhe aktualisht kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës (SHVL) të UÇK-së ka theksuar se nuk ka njohuri për një gjë të tillë. Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Besim Hoda nuk ka njohuri kush qëndron pas komunikatës në fjalë. “Mendoj se bëhet fjalë për skenarë të parapërgatitura për të defokusuar vëmendjen e opinionit, nga mosmenaxhimi i mirë i situatës politike. Nuk di kush qëndron pas këtyre komunikatave. Sa i përket vulave të UÇK-së, sqarim duhet të japë kreu më i lartë i UÇK-së”, tha Hoda. Ai theksoi se kjo gjendje krijon kriza të reja. “Jemi të shqetësuar me talljen e statusit të shqiptarëve. Situata duhet të zhbllokohet dhe sa më shpejt të kuptohet mesazhi i vitit 2001. Pakënaqësitë janë shumë të mëdha”, tha Hoda. Ai gjithashtu potencoi se në rast të ndonjë konflikti të ri në Maqedoni, situata do të jetë shumë më e vështirë për t’u kontrolluar.

Bardhyl Mahmuti, kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH) ka mohuar të jetë pjesë e skenarëve të fundit. “Të gjithë e shohim se Nikolla Gruevski, me politikën e vet antishqiptare, përgatit tryezën e një ‘loje të re pokeri politik’. Të gjithë i dimë ‘lojtarët e këtij pokeri politik’. Edhe ata që nga opozita mendojnë të ulen në tryezën e Qeverisë së ardhshme teknike. Të gjithë e dimë se jeta e civilëve të pafajshëm është në lojë. Na thuhet të heshtim! Të mos denoncojmë”, shkruan mes tjerash Mahmuti.

Ai gjithashtu ka theksuar se duhet të dënohet kjo mënyrë e re e politikës. “JO! Tani duhet të ngremë zërin dhe të denoncojmë lojën e re mbi kurrizin e popullit shqiptar në Maqedoni. Duhet të denoncojmë edhe indiferencën ndërkombëtare që tërë aktivitetin e vet preventiv e ka kufizuar vetëm në disa deklarata”, shkruan Mahmuti.

Të mërkurën sasi e madhe e armatimit, ndër të cilin edhe mitralozë të rëndë, granata dore, mina kudër tankeve, eksploziv dhe detonatorë, janë zbuluar dhe konfiskuar nga policia maqedonase në afërsi të fshatit Bllacë.
BDI ka theksuar se me vëmendje është duke e ndjekur situatën e krijuar në Maqedoni. Kryetari i saj Ali Ahmeti është në koordinim dhe komunikim intensiv me garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, SHBA, BE dhe NATO si dhe me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë. “Personat e involvuar në tregti me armë nuk kanë kurrfarë lidhje me BDI-në. Ftojmë qytetarët të ruajnë gjakftohtësinë , të mos provokojnë dhe as të mos lejojnë që të jenë të provokuar. Perspektiva euro-atlantike e vendeve tona nuk duhet rrezikuar në asnjë moment. Ushtria Çlirimtare e Kombëtare ka një komandant legjitim. Gjithashtu nuk duhet keqpërdorur misioni i shenjtë kombëtarë i kësaj ushtrie që shqiptarëve në Maqedoni u solli të drejtat e barabarta për tu justifikuar agjenda jopolitike. Në përvjetorin e betejës së Sllupçanit përkujtojmë se prijës i luftës në Maqedoni ishte dhe do të mbetet përherë Ali Ahmeti”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Shtuar më 03/05/2010, ora 21:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori