Vazhdimi i sezonit në Serie A, trajneri i Sassuolos ka një propozim

Me një situatë e cila është ende larg kthimit në normalitet, trajneri i Sossuolos, De Zerbi ka një propozim për Serie A.

Kampionati italian vazhdon të jetë i suspenduar, me skuadrat që planifikojnë të kthehen në stërvitje më 3 maj.

Sezoni pritet të rifillojë më 31 maj, nëse gjithçka shkon sipas planit aktual. Por, trajneri i Sassuolo, ka një propozim shtesë.

“Zakonisht skuadrat kanë gjashtë javë stërvitje para fillimit të sezonit, pastaj luajnë një herë në javë”, ka thënë Roberto De Zerbi, transmeton lajmi.net.

“Kësaj here, ne do të luajmë çdo tre ditë. Zgjidhja më inteligjente do të ishte t’i ndajmë skuadrat në dy grupe, kështu që ata nuk lodhen shumë. Një zgjidhje tjetër e zgjuar do të ishte propozimi i idesë për pesë zëvendësime brenda ndeshjes”, ka shtuar trajneri i Sassuolo.

“Kjo do t’i jepte ndeshjes më shumë kualitet dhe do të ndihmonte të shmangen lëndimet”, ishin fjalët e De Zerbi.

Kampanja e Serie A është suspenduar për më shumë se një muaj tashmë, pas përhapjes së pandemisë Covid-19.


Shtuar 12.04.2020 10:59