Maqedonia do të njohë Kosovën me 7 ose 8 tetor
Albeu.com
Gazeta "Lajm" nga Maqedonia, duke u thirrur ne burime qeveritare shkruan se Maqedonia do ta njeh pavarësinë e Kosovës më 7 ose 8 tetor ndersa në të njëjtën ditë pritet që Kosovën ta njohë edhe Mali i Zi.Në të njëjtën ditë pritet që Kosovën ta njohë edhe Mali i Zi, bëjnë të ditur për gazetën “Lajm”, burime të larta në Qeverinë e Nikolla Gruevskit dhe në partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
“Jemi duke u koordinuar që bashkë me Malin e Zi ta njohim Kosovën më 7 ose 8 tetor. Kjo me qëllim që sadopak të neutralizohet sulmi i Serbisë e cila ka paralajmëruar se nëse vendet fqinje Maqedonia dhe Mali i Zi e njohin Kosovën do të ballafaqohen me probleme”, thonë burimet qeveritare për “Lajm”.
Këto burime thonë se Maqedonia ishte e gatshme ta pranojë shtetin e ri qysh më 23 shtator, mirëpo kjo u anulua për shkak se Mali i Zi ende nuk ishte gati të merr një vendim të tillë për shkak të presionit serb.
Edhe presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski të enjten në Bruksel pas takimit me evrokomesarin Oli Rehn ka deklaruar se Maqedonia shumë shpejtë do të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Informova komisionerin Ren se sipas mendimit tim ka skaduar në një mënyrë periudha në të cilën bëheshin analiza dhe ndërrohej pozicioni i Maqedonisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Pres që qeveria e cila sipas kushtetutës së Maqedonisë e vetmja ka ingerenca për vendim të tillë që shumë shpejt dhe publikisht të zyrtarizojë qëndrimin e vendit tonë ndaj pavarësisë së Kosovës”, deklaroi presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski.
Pavarësia e Kosovës e cila u shpall para 6 muajve deri më tani është njohur nga 47 shtete, kryesisht vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Ndryshe, Maqedonia deri më tani ka hezituar të njohë shtetin më të ri të botës nën arsyetimin se do të udhëhiqet nga interesat e saj nacionale dhe shtetërore. Një ndër shkaqet pse është vonuar njohja e Kosovës sipas disa informacioneve ka qenë demarkacioni i kufirit me Kosovën si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni të cilat u mbajtën me 1 qershor.
Shtuar më 03/10/2008, ora 19:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori