Maqedoni: Zgjedhjet e parakohshme me 28 maj
Pëlqej
Albeu.com
Pushteti dhe opozita ka gjasa që të bien në ujdi që 28 maj të jetë dita e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sepse deri atëherë ka kohë të mjaftueshme për të miratuar kodin zgjedhor.Data më e pranueshme për pushtetin dhe opozitën për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, mund të jetë 28 maji. Kjo pas paralajmërimeve të kryeministrit Vllado Buçkovski se zgjedhjet do të mbahen “para pushimeve verore”.
Gatishmërinë për zgjedhje “para pushimeve”, gjegjësisht zgjedhje të parakohshme Buçkovski e shprehu pas takimeve që pati me komisarët evropian Jose Manuel Barroso dhe Olli Rehn.
Ky fakt ka shkaktuar dyshime se ishin evropianët që i kanë sugjeruar Buçkovskit mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme. Deri në këtë datë do të ketë kohë të mjaftueshme për miratimin e kodit zgjedhorë në Parlament.
Partitë opozitare kanë përshëndetur paralajmërimin e Buçkovskit se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të parakohshme. “Duhej të vinin komisarët evropianë që Buçkovskit t’i kujtohej se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është interes i Maqedonisë. Zgjedhjet e parakohshme janë edhe në interes të shqiptarëve, sepse është evidente që LSDM, në vitin zgjedhor, nuk është e gatshme t’i përmbush obligimet nga Marrëveshja e Ohrit”, thotë kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) Abdylhadi Vejseli.
Ngjashëm mendon edhe nënkryetari i Partisw Demokratike Shqiptare (PDSH), Iljas Halimi. Sipas tij me zgjedhje të parakohshme Maqedonia më shpejt do të përmbushte kushtin kryesor për caktimin e datës për fillim të negociatave me BE-në. “Më parë duhet që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të rregullt dhe korrekte”, tha nënkryetari i PDSH-së, duke shtuar se partia e tij tashmë e ka bërë strukturimin e nevojshëm dhe është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
Gatishmëri për ballafaqim të parakohshëm parazgjedhorë shprehin e dhe tek Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). “Ne gjithnjë kemi thënë se në çdo kohë jemi të gatshëm për t’u paraqitur në zgjedhje. Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme BDI i fillon menjëherë pas përfundimit të një cikli zgjedhor. I kemi filluar menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale”, ka pohuar nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti.
nga Isen Saliu, Gazeta Lajm
Shtuar më 21/02/2006, ora 08:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori