Maqedoni, s'ka pergjigje shqip per pasaporta!
Albeu.com
Nëse dëshironi të caktoni termin për pasaportë ose letërnjoftim, atëherë do të detyroheni të zgjidhni opsionin për gjuhën maqedonase, pasi në gjuhën shqipe nuk përgjigjet askush.
Vërejtjet e qytetarëve ndaj “qendrës thirrëse” janë të shumta. Përveç se presin me orë të tëra për të caktuar terminin e duhur kur duhet të dorëzojnë dokumentet, qytetarët shprehen të revoltuar se gjuha shqipe mënjanohet tërësisht.

Për të konfirmuar këto informacione të lexuesve edhe nga telefoni i redaksisë tonë tentuam të rezervojmë një termin në gjuhën shqipe. mirëpo nga tre tentimet e bëra të gjitha dështuan.
“Kam thirrur rreth dy orë dhe assesi nuk kam mundur të marr linjë telefonike në opsionin në gjuhën shqipe. Nga ana e tjetër, në gjuhën maqedonase telefonat kanë qenë të zënë pasi interesimi është i jashtëzakonshëm”, tha Qerim Hasani, një qytetar nga Shkupi.
Nga MPB-ja njoftojnë se nuk janë përgjegjës për “call center” pasi këtë detyrë e kryen një kompani private e cila ka fituar tenderin para tre viteve. “Ne nuk jemi përgjegjës ndaj asaj qendre, por mund vetëm të kërkojmë llogari nëse ka ankesa. Në asnjë mënyrë ata nuk guxojnë të mos iu përgjigjen qytetarëve”, tha Ivo Kotevski zëdhënës i MPB-së.
Nga kjo kompani askush nuk jep përgjigje pse qytetarëve nuk iu flitet edhe në gjuhën shqipe. Ndërkaq, qytetarët të cilët janë ankuar, kanë marrë përgjigje se kuadri shqiptar është i vogël dhe ata kanë shkuar në pushim kështu që gjatë kësaj periudhe do të paraqiteni në gjuhën maqedonase.
Megjithatë, shumë banorë të Shkupit janë ndjerë të ofenduar me këtë përgjigje dhe konsiderojnë se ka prapavijë politike ky veprim. “Me këtë mënyrë dëshirojnë të na detyrojnë me një farë mënyre të marrim dokumente në gjuhën maqedonase”, tha Hasani.
Gjithashtu ankesat ndaj kësaj qendre nuk janë të pakta as në efikasitetin e punës. Qytetarët ankohen se për të njëjtën kohë të lajmërimit në telefon u ndahen data të ndryshme për terminin kur duhet t’i dorëzojnë dokumentet në polici.

Policia e përgatitur për gurbetçarët
Ministria e Punëve të Brendshme të (MPB) Maqedonisë ka njoftuar se duke pasur parasysh sezonin e verës kur shumica e gurbetçarëve kthehen në vendlindje për pushime dhe kërkojnë të pajisen me dokumente të reja valide, i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. “Jemi furnizuar me numër të mjaftueshëm të pasaportave biometrik. Nuk do të ketë asnjë lloj problemi. Edhe pasaporta në gjuhën shqipe ka me bollëk”, tha zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski. (lajm)
Shtuar më 12/07/2010, ora 10:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori