Maqedoni, shtyhet per gjashte muaj ndertimi i aeroporteve
Albeu.com
Qeveria konfirmon prolongimin e investimeve të kompanisë turke TAV. Drejtuesit e kompanisë të hënën i kanë dorëzuar Qeverisë kërkesë me shkrim për prolongim të ndërtimit dhe modernizimit të aeroporteve në vend.Qeveria mbrëmë e ka miratuar kërkesën e kompanisë turke, duke i dhënë afat që më së voni deri më 1 mars të vitit të ardhshëm, të fillojnë investimet, në të kundër marrëveshja do të anulohet. Ministri i Transporteve, Janakievski tha se Qeveria ka mirëkuptuar arsyetimin e kompanisë TAV, e cila ka vështirësi në sigurimin e kredisë për fillimin e punimeve.

"Ky prolongim para së gjithash është rezultat i krizës ekonomike. Atë që tregojnë mediat botërore dhe analistët e ekonomisë botërore është se kriza do të përfundojë kah fundi i vitit apo të paktën ajo do të zbutet deri atëherë", tha Mile Janakievski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Por edhe pse prolongimi ndodh për të dytën herë, Qeveria për momentin nuk mendon të shpall tender të ri, për të gjetur investitor tjetër, nga frika se në të nuk do të paraqitej asnjë i interesuar.

"Duhet ta keni parasysh se asnjë institucion financiar ndërkombëtar në këtë periudhë nuk jep fonde, dhe sidomos një sasi të tillë prej 200 milion eurosh, sa është investimi i përgjithshëm i kompanisë turke TAV, siç shihet shumë koncesione në rajon dhe në Europë kanë dështuar, pikërisht nga kriza, dhe mendojmë se ky prolongim 6 mujor është i arsyeshëm", theksoi Mile Janakievski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ky është prolongimi i dytë i investimeve, të cilat duhej të fillonin në janar të këtij viti. Në pamundësi për të marrë kredi, TAV prolongoi punimet për më 1 Shtator, ndërsa tani për në Mars të vitit të ardhshëm, kur edhe skadon afati i garancisë prej 6 milion euro, të cilat në rast se TAV nuk fillon punimet në mars, do të arkëtohen në buxhetin e shtetit. (alsat-m)
Shtuar më 25/08/2009, ora 20:19
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori