Maqedoni, shqiptaret shtohen per 68 mije banore, maqedonet per 3 mije
Albeu.com
Tendencat për kontestimin e përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni vazhdojnë. Demografi Asllan Selmani hedh poshtë pretendimet e demografëve maqedonas se përqindja e shqiptarëve në Maqedoni nuk e kalon 16 - 17 për qind.Ai thekson se numri i shqiptarëve sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika nuk është as 25 për qind, por duhet të jetë mbi 30 për qind.
“Vetë fakti që Enti Shtetëror Republikan ka botuar, dhe boton çdo vjet statistikën vitale për lindjet dhe vdekjet, shihet shumë qartë se shqiptarët marrin pjesë në shtimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë mbi 80 për qind. Kështu për shembull në periudhën prej vitit 1994 deri në vitin 2002 numri i popullsisë shqiptare ka të shënuar shtim natyror prej 68 mijë banorëve, ndërsa numri i maqedonasve ka qenë diçka më pak se 3 mijë.’, tregon demografi Asllan Selmani.
Nga ana tjetër duke u bazuar edhe në faktin se numri i nxënësve shqiptarë në shkollat fillore është mbi 34 për qind, ekspertët shqiptar mendojnë se ky numër duhet të jetë më i madh edhe se 25 për qind.
“Duke e ditur këtë kontingjent se numri i popullsisë së re, pra popullsisë së nxënësve tani ka kaluar në popullsinë e pjekur numri i shqiptarëve në Maqedoni duhet të jetë mbi 30 për qind. Dhe ky fakt argumentohet me shumë dokumente që vet shteti gjegjësisht Enti Statistikor Republikan i boton si raporte vjetore”, thekson Asllan Selmani.
Me kritikat ndaj Entin Shtetëror të Statistikës, pajtohet edhe zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Abdylaqim Ademi, i cili paralajmëroi edhe përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, diku gjatë vitit 2011.
“Shikuar nga perspektiva e tanishme, por të preokupuar me sfidat e mundshme, qartësisht e theksojmë nevojën për qasjen serioze dhe me kohë ndaj përgatitjeve për organizimin e ndërmarrjes kapitale në vitin 2011: regjistrimin e popullsisë, amvisërisë dhe banesave. Institucioni që është përgjegjës për këtë projekt–Enti Shtetëror i Statistikës është identifikuar si shembull për moszbatim të duhur të përcaktimeve për përfaqësim adekuat”, thotë zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi.
Sipas regjistrimeve të vitit 1994, 23 për qind e popullsisë ishte shqiptare, ndërkohë që nga regjistrimi i vitit 2002, numri i shqiptarëve u rrit edhe me 68 mijë, diku 25 për qind. Regjistrimet e ardhshme në vitin 2011 pritet të japin pasqyrën e qartë për përqindjen e shqiptarëve në vend. (Semra Jakupi, alsat)
Shtuar më 15/08/2009, ora 22:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori