Maqedoni, shkarkimi i rektorit rindez polemikat
Albeu.com
Rindizet përplasja mes shqiptarëve në Maqedoni. Shkarkimi i rektorit të Universitetit të Tetovës, nga ana e ministrit shqiptar të Arsimit, ka rikthyer polemikat në mes dy formacioneve kryesore politike, Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit dhe Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Arbën Xhaferrit.Ministri Sulejman Rushiti do të dalë në media dhe të sqarojë shkakun e shkarkimit të rektorit të Universitetit të Tetovës, Nexhbedin Beadinit. Sipas një vendimi të publikuar nga kjo ministri, shkarkimi i rektorit erdhi pasi "Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte vërtetuar se Beadini ka punuar në kundërshtim me statusin dhe nenet e Universitetit të Tetovës". Ndërkaq, disa përfaqësues të këtij universiteti e kanë cilësuar vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si "të paligjshëm", duke vërejtur se një masë e tillë "s‘është kompetencë e ministrit, por e vetë organeve të universitetit". Kundër shkarkimit të Beadinit është shprehur edhe rektori i Universitetit "Shën Kirili e Metodi" në Shkup, Gjorgji Martinovski, i cili ka kërkuar gjithashtu ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë "për të zbardhur këtë çështje". Beadini, rektor i deritanishëm i Universitetit Shtetëror të Tetovës, u shkarkua të premten dhe në vend të tij u emërua si "ushtrues detyre" Prof. dr. Sadi Bexheti, me doktoratë në fushën e neuro-anatomisë, në Universitetin e Zagrebit, profesor i rregullt prej më se 25 vitesh në Universitetin e Prishtinës.
Shtuar më 09/10/2006, ora 22:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori