Maqedoni, propagande e tmerrshme kunder vendbanimeve shqiptare
Albeu.com
Disa ueb portale maqedonase të cilat pretendojnë ti prezantojnë botës, bukuritë e rralla të Maqedonisë, vendbanimet shqiptare i paraqesin si destinacione të rrezikshme për tu vizituar.
Ueb faqja travel2macedonia.com.mk ka plasuar informacion të shtrembëruar, tendencioz dhe me një qëllim të mbrapsht për të krijuar përshtypjen se Tetova është qytet i “rrezikshëm”, sikur të ishe një katund në Afganistan, ku ka shumë pak siguri për qytetarët.

Ndaj kësaj propagande dashakeqe i menjëhershëm ka qenë reagimi i studentëve shqiptarë.

“Kjo propagandë e sofistikuar, e cila nuk dihet se ku i ka rrënjët, duket si një projekt i programuar që kërkon të jap informacion “nëntokësorë”, të përgatitur vetëm për të përbaltur fytyrën e vërtet të Tetovës, e cila tashmë po njeh progresin dhe frymën e zhvillimeve moderne”, thuhet në deklaratën me shkrim të 30 mijë studentëve shqiptarët anëtarë të forumit “Studentët”.

Në deklaratë më tej theksohet se ky është ataku më brutal që mund t’i bëhet identitetit dhe fizionomisë së mirëqenë të një qyteti, i cili tashmë njeh rrugën e progresit dhe të vlerave kulturore.

“Ping-pongu, që luhet me autenticitetin e kësaj faqeje dhe financimin e saj, kanë krijuar një mjegull të qëllimshme për të “fundosur” progresin e Tetovës dhe për ta paraqitur atë të “vrazhdë”, të “rrezikshme” dhe “primitive”, ashtu siç është projektuar në kokat e kreatorëve të kësaj ueb faqe që ka mundësi të jetë e financuar nga Ministria e Kulturës”, thuhet në deklaratë.

Shihet qartë që kjo është një propagandë e orkestruar, në të cilën heshturazi merr pjesë edhe Ministria e Kulturës dhe ndonjë ministri tjetër, për ta përbaltur trashëgiminë, vlerat dhe aspektin turistik të Tetovës, vlerësojnë studentët.

“Naiviteti nuk ka vend në gjithë këtë histori. Ky është projekt i gjerë që përpiqet të shfytyrojë gjeografinë shqiptare dhe që përpiqet të degjenerojë praninë shqiptare, jo vetëm në Tetovë. Ky atak brutal, duhet që sa më parë të gjejë adresën e përgjegjësisë në shtetin e ligjshmërive të diskutueshme. Kjo “lojë” e shpifur dhe e gërditshme duhet të marr fund, sepse këto “përralla” anakronike nuk shkojnë në dobi të askujt”, thuhet më tej në deklaratë.

Studentët apelojnë që Ministritë , të cilat ka mundësi të kenë financuar këtë projekt anonim, si shumë projekte të tjera, duhet të ndërmarrin urgjentisht masat e duhura dhe ta ndalojnë këtë propagandë të tmerrshme kundër vendbanimeve shqiptare.

Të gjitha parametrat aktual flasin për një Tetovë ndryshe, të civilizuar, të denjë për çdo investim nga jashtë dhe për çdo vizitë nga turistët e huaj, të cilët në Tetovë do të gjejnë, qetësi, progres, dhe bukuri të jashtëzakonshme për relaks dhe në të njëjtën kohë një trashëgimi të pasur kulturore që ka rrënjët në një civilizim disa shekullor. (ina)
Shtuar më 20/07/2010, ora 14:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori