Maqedoni, Partitë deri në mesnate do të dorëzojnë listat për deputetë
Albeu.com
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor(KSHZ), Jovan Josifovski deklaroi se dje dhe sot paradite nuk është dorëzuar asnjë listë për deputetë nga partitë politike apo listë e kandidatëve të pavarur.“Zakonisht listat dorëzohen disa orë para përfundimit të afatit dhe presim që të përmbyllim këtë proces”, deklaroi Josifovski.
Në 2.976 këshillat zgjedhore do të jenë të pranishëm rreth 12 mijë anëtarë dhe ndihmës të tyre të punësuar në administratën publike.
Ata do të angazhohen në bazë të ligjit të ri për zgjedhjet, duke zëvendësuar sistemin e kaluar ku në këshillat zgjedhore zgjidheshin anëtarë me propozim të partive politike. Mbrëmë në mesnatë përfundoi shqyrtimi i listave zgjedhore nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Fushata e zgjedhjeve të parakohshme fillon më 11 maj, ndërsa përfundon me 30 maj në mesnatë. Zgjedhjet do të mbahen më 1 qershor, ndërsa 12 orë pas përfundimit të zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të shpallë rezultatet e para jozyrtare. (A.Mehmeti/INA)
Shtuar më 02/05/2008, ora 18:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori