Maqedoni, pa marreveshje per gjuhen shqipe ne Parlament
Albeu.com
Ka dështuar angazhimi i grupit të punës i cili gjatë këtyre 15 ditëve është dashur të harmonizonte qëndrimet rreth amendamenteve të Demokracisë së Re për përdorimin e gjuhës shqipe në kuadër të ligjit për parlamentin, i cili duhet të miratohet të hënën.Kundër amendamenteve është shprehur partia e Gruevskit, e cila konsideron se kjo çështje rregullohet me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, të miratuar një vit më parë. Partitë shqiptare i referohen amendamentit 5 të kushtetutës, i cili mundëson dhe rregullon përdorimin e gjuhës shqipe.

‘Mirëpo problemi qëndron aty se përfaqësuesit e VMRO-DPMNE apriori nuk duan të bisedojnë, respektivisht të interpretojnë amendamentin 5 të kushtetutës për faktin se ata thirren në ligjin për përdorim të gjuhës që kanë të drejt ta flasin së paku 20 për qind dhe në komuna. Ajo që është interesante këtu në grupin punues unë dhe përfaqësuesi i BDI ishim në një vijë, pra të dy ishim për një përdorim më konkret më zyrtar të gjuhës shqipe', tregon Ismet Ramadani, ekspert i angazhuar nga DR.

Tentativa e fundit për arritjen e një konsensusi të plotë për ligjin në fjalë si një ndër kushtet e nevojshme që Maqedonia të marrë raport pozitiv nga KE-ja, pritet të realizohet të hënën. BDI konsideron se ka ende kohë për të harmonizuar qëndrimet rreth këtyre dallimeve.

"Ditën e hënë para fillit të seancës ku pikë e parë e rendit të ditës është ligji për parlamentin ne do të duhet të informohemi për përfundimet e grupit punues. Gjykoj se ka akoma kohë për të harmonizuar dallimet për sa i përket momenteve të caktuara në ligjin për parlamentit dhe uroj që në këtë seancë të hymë me qëndrim të harmonizuar dhe ky ligj të votohet ashtu edhe siç pritet dhe kërkohet me një konsensus të plotë" shpreson Xhevat Ademi, deputet i BDI.

"Jemi në një siturat ku ne si grup punues duhet ndoshta edhe njëherë të ulemi dhe të shohim se kush sa i ka ndryshuar qëndrimet prej këtyre dy takimeve, por këtë e presim me sugjerim ose porosi të udhëheqësve më të lartë të partive politike që në këtë rast midis tyre ose kontestohen ose pajtohen në çështjet që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës në parlament", thotë Ismet Ramadani.

BDI, disa herë në prononcimet e saj ka ndryshuar qëndrimin rreth kësaj çështje. Pas takimit të liderëve BDI theksoi se kjo çështje rregullohen me ligjin për gjuhët. Ndërkaq partia e Selmanit ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë propozimligjin në fjalë nëse nuk pranohen amendamentet e tyre. Nëse kjo ndodh, atëherë ligji nuk do të ketë konsensusin e plotë për miratim, ashtu siç kërkon faktori ndërkombëtar. (Gjyltene Rexhallari, alsat)
Shtuar më 15/08/2009, ora 22:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori