Maqedoni; opozita akuzon, pushteti forcon shtetin policor
Albeu.com
Ndryshimet dhe plotësimet në ligjin për komunikime elektronike do t’i mundësojnë Ministrisë së Brendshme të luajë rolin e ‘Big Brother’. Kështu theksoi LSDM-ja gjatë debatit rreth këtij projekt ligji.
Sipas tyre me këto ndryshime do të legalizohet përgjimi jo vetëm i telefonave fiks dhe celularëve, por edhe të kompjuterëve. Sipas LSDM-së, MPB do të përgjojë qytetarët 24 orë në 7 ditë, duke anashkaluar ligjin për përgjim që parashikon përgjimin e një personi, maksimumi për 30 ditë. Pohimet e tilla, u hodhën poshtë nga zv/ministri për transport dhe lidhje.
"Këtu ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka lidhje. Ky ligj vetëm do t'i mundësojë MPB dhe Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim të luajë lojën e Big Bradhërit në Maqedoni. Viktima jeni edhe ju, ajo vetëm varet nga kapaciteti juaj demokratik nëse dëshironi të kundërviheni apo jo, dhe a dëshironi të merrni pjesë në këtë diktaturë të fëlliqur në Maqedoni", fajsoi Jani Makraduli, deputet i LSDM.
"Nuk është e saktë se me këtë ligj do të përgjohet ashtu siç u tha në fjalim. Thjeshtë me këto ndryshime të neneve do të konkretizohet dhe sqarohet koncepti i pjesës teknike ndërsa për procedurën, kushtin dhe mënyrën e përgjimit, ajo sqarohet në ligjin paraprak, në ligjin për përgjim", përgjigjet Goran Mihajllovski, zëvendësministër për Transport dhe Lidhje.
Sipas DR-së, me ndryshimet shkelet privatësia dhe i jepet mundësi, krijimit të një shteti policor.
"Me sjelljen dhe miratimin e këtij ligji, jo vetëm që shumica parlamentare aktuale del nga kornizat e legjislaturës evropiane dhe direktivave normative të UE-së, por njëkohësisht përforcon MPB dhe policin dhe në këtë mënyrë formon shtet policor", vlerëson Flora Kadriu, deputete e DR.
BDI nuk e pa të arsyeshme të prononcohet, pasi që nga bojkoti i djeshëm i seancës, nuk është kthyer në kuvend.
Shtuar më 11/05/2010, ora 17:10
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori