Maqedoni: Muzeu i lirise, 123 vjet sakrifice dhe histori
Albeu.com
nga Laura PapranikuHistoria e lavdishme e shqiptarëve, sakrifica e tyre për liri si dhe synimi për t’i ekspozuar opinionit historinë liridashëse, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e deri të UÇ. Kombëtare (2001), janë bashkuar në një vend.Është pikërisht shtëpia e Jashar bej Kumbarës, prefektit të parë të qytetit të Shkupit që tani e tutje do të mbajë emrin “Muzeu i lirisë”. Fillimi i punëve për rikonstruimin e Muzeut, të hënën më 5 Maj, pra në Ditën e dëshmorëve të kombit, pa dyshim se i jep një theks të veçantë këtij projekti, që financohet nga Komuna e Çairit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka falënderuar kryetarin e Çairit, për kujdesin dhe angazhimin që ka treguar. “Ky muze do të nderojë gjithë historinë dhe sakrificat e brezave të tërë, në luftën për liri, barazi dhe drejtësi”, u shpreh Ahmeti. Në këtë datë të rëndësishme kur po shënojmë Ditën e dëshmorëve, pohoi më tej ai, po shënojmë edhe fillimin e punëve për ndërtimin e Muzeut të lirisë, duke filluar që nga Lidhja e Prizrenit e deri te historia më e re e ndryshimeve të shqiptarëve të Maqedonisë, pra deri te Lufta e vitit 2001. Themelimi i këtij muzeu, ishte një prej premtimeve të BDI-së, të zgjedhjeve të kaluara parlamentare, ndërsa u iniciua si kërkesë e Shoqatës së historianëve Shqiptarë dhe LQ “Zgjohu” për të shpëtuar prej shkatërrimit shtëpinë e Kumbarajve, njërës prej familjes me virtyte të larta patriotike të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nga gjiri i saj, mjafton të përmendim se dolën prefekti i parë i Shkupit, Jashar beu, delegati i Kongresit të Manastirit, Emin beu, apo edhe para tyre Imeri dhe motra e tij (të cilës historiografia shqiptare i ka për borxh t’ia zbulojë emrin, pasi ka financuar kryengritjen e Dervish Carës (1844)). Historiani Skënder Asani, pohon se ka dokumente që tregojnë se kjo burrneshë ishte nga derë e Kumbarave të Shkupit.“Dy djemtë e saj, Havzi dhe Adurahman pashën, sulltani i preu në besë. I thirri, në Stamboll, gjoja për konsultime, mirëpo i helmoi”, thotë Asani, sipas të cilit edhe shkrirja e gjithë pasurisë së saj për të financuar kryengritjen e Dervish Carës është e motivuar nga pezmatimi dhe dëshira për t’ju hakmerr Portës së lartë. Mirëpo, tradita e lindjes së pinjollëve nga dera e Kumbarave, nuk u ndërpre, as këtu e as në vitin 1962 kur vdiq Emin beu. Dhjetë vite më vonë, mbesa e tij, Olivera do të bëhet mbështetja akademike për themelimin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, në Shkup, duke pranuar t’i mbajë tri lëndë, për të cilët kishte mungesë të kuadrove me tituj shkencor. (LAJM)
Shtuar më 06/05/2008, ora 21:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori