Maqedoni: Ministrat fshehin dembellëkun
Albeu.com
nga Fejzi HajdariUeb faqet e ministrive pa të dhëna për aktivitetet konkrete. Asnjëra nga pesë ministritë që prekin edhe sferën e ekonomisë, nuk publikojnë informacione për reformat e realizuara.Gjykuar sipas prezantimit të të dhënave për aktivitetet konkrete, ministritë vazhdojnë me avazin e vjetër të punës, duke mos qenë transparente ndaj qytetarëve. Asnjëra nga pesë ministritë që prekin edhe sferën e ekonomisë, nuk publikon informacione për reformat e realizuara, ka treguar një hulumtim që është realizuar nga faqet e internetit të Ministrisë së Ekonomisë, Financave, Bujqësisë, Punës dhe Politikë Sociale dhe Transportit dhe Lidhjeve.
Në këtë drejtim prinë Ministria e Bujqësisë, për shkak se faqja e tyre e internetit nuk është freskuar me informacione pothuajse tre-katër vitet e fundit. Ministri i Bujqësisë, Sadulla Duraku, kohë me parë, mungesën e informacioneve në ueb faqe e ka arsyetuar me “mungesën e rrjetit lidhës të sektorëve”. Nga kabineti i ministrit Duraku, janë shprehur se “një gjë e tillë shumë shpejt do të rregullohet”, dhe se në të ardhmen, informata për reformat dhe aktivitetet tjera, vazhdimisht do të plasohen në faqen zyrtare të këtij dikasteri ministror.
Për çudi Ministrisë së Pushtetit Lokal, që është bartëse e projektit për decentralizim - i ka munguar faqja e internetit. Ministri i Pushtetit Lokal, Rizvan Sulejmani, pa dhënë ndonjë arsyetim për mungesën e ueb faqes, thotë se megjithatë kjo ministri ka koordinuar dhe koordinon reformat në sferën e decentralizimit.
Edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave nuk mund të gjendet asnjë informacion lidhur me procesin e decentralizimit, apo të fiskalizimit. Edhe këtu nuk është dhënë arsyetimi se pse nuk ka të dhëna për reforma, nuk ka as afate kohore, si dhe efekte që priten nga ndryshimet sistemore. Në këtë ministri nuk janë të disponuar të komentojnë mungesën e këtillë të të dhënave zyrtare.
Po ashtu mungojnë edhe të dhënat për reformimin e ndërmarrjeve, në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë.
Vetëm në faqen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ka një departament për reforma sociale dhe pensionale, por mund të depërtohet vetëm deri tek informacionet për sigurim pensional, kurse për reformat sociale s’ka qasje.
Pothuajse të gjithë ministrat njëzëshëm kanë deklaruar se janë të hapur për punën e tyre ndaj mediave dhe opinionit publik, por, megjithatë nuk kanë qenë të prirë të komentojnë mungesën e statistikave për punën e tyre.
Lajm
Shtuar më 13/03/2006, ora 15:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori