Maqedoni, 2500 punësime deri në fund të vitit
Albeu.com
Të gjitha institucionet, të cilat nuk do ta respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat do të dënohen. Kështu për gazetën "Koha" ka konfirmuar zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Imer Aliu.Aliu ka thënë se këto dispozita parashihen me Ligjin e ri, i cili tanimë është në procedurë parlamentare.
"Me planin e ri aksionar parashihet që të gjitha institucionet shtetërore, pavarësisht statusit të tyre, do të jenë të obliguar të dërgojnë planet vjetore për përfaqësim të drejtë. Më e rëndësishmja është edhe ajo se të gjithë institucionet, të cilat nuk do ta respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat - do të dënohen", ka thënë zëvendëskryeministri. Sipas Aliut, me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për qeveri do të ndryshohet edhe statusi i sektorit për implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Ai tani do të shndërrohet në Sekretariat, me ç'rast do të rriten edhe kompetencat e tij.
"Sektori për Marrëveshjen e Ohrit do të shndërrohet në Sekretariat. Me këtë do të përmbushen edhe kërkesat për implementim sa më të shpejtë të Marrëveshjes kornizë, me çka të gjitha materiale që do të shkojnë në qeveri, paraprakisht do të duhet të kalojnë në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit", është zotuar Aliu. Me këto ndryshime gjithashtu parashihet që të paraqitet një pasqyrë më reale për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive në administratën shtetërore.
"Me këto ndryshime, autorizimin me Ligj, i cili do ta ndjekë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat do të jetë Enti Shtetëror për Statistikë, ku institucionet do të jenë të obliguara që çdo tre muaj të paraqesin të dhëna për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive në institucionet shtetëror", ka thënë ai. Zëvendëskryeministri Aliu është i kënaqur me mënyrën se si po implementohet Marrëveshja e Ohrit, sidomos në sferën e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në administratë. Ai paralajmëron se deri në fund të vitit, në organet shtetërore do të punësohen rreth 2500 kuadro të reja shqiptare. "Qeveria e mëparshme ka trumbetuar dhe nuk ka treguar numrin e vërtete të shqiptarëve në administratë. Ne së shpejti do të dalim më të dhëna të sakta se sa ka qenë përfaqësimi i shqiptarëve deri në vitin 2006, kur në pushtet ka qenë qeveria e kaluar dhe sa është përmirësuar gjendja gjatë këtyre muajve përderisa jemi në pushtet. Numrat janë të pamëshirshëm, ndërsa qeveria e kaluar ka manipuluar me këta shifra dhe përqindja e shqiptarëve ka qenë shumë më e vogël se sa kanë deklaruar ata", ka akuzuar Aliu, duke shtuar se përfaqësimi i shqiptarëve në ndërmarrjet publike, fondet, institutet dhe të ngjashme është shumë i ulët. nga Bekim MURATI, Koha
Shtuar më 06/08/2007, ora 17:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori