Maqedonasit kerkojne ndarjen e plazhit te Struges ne baza etnike
Albeu.com
Në Strugë plazhet do të ndahen në baza etnike, në shqiptare dhe maqedonase. Këtë e pohoi numri një i degës së VMRO-DPMNE- së në Strugë, Sllavko Kotevski. Ai thotë se kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes e koalicionit, mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, e ...... nënshkruar nga kryetari i komunës Ramiz Merko.

“Ne u morëm vesh se duhet të mbahet llogari për përfaqësimin e plazheve të Strugës. Duam që të mbahet llogari për përfaqësimin e të dy partive, d.m.th. e dy nacionaliteteve më të mëdha të Strugës, sidomos për traditën e përdorimit të plazheve, e cila është me dekada të tëra, për këtë shkak ky tender do duhej të rezultonte me një ndarje të këtij lloji”, deklaroi Sllavko Kotevski, kryetar i VMRO-DPMNE- së në Strugë.

Bëhet fjalë për tenderin nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, i cili skadon më 29 janar dhe i përket dhënies me koncesion të 9 plazheve të rivierës së Strugës. Kostovski madje thotë se disa me ditë me radhë po punohet për lobimin rreth ndarjes së koncesioneve.
“Është e ditur se si përdoren plazhet në Strugë. Po lobohet intensivisht, sepse kemi njerëz të interesuar, të cilët merren me këtë biznes dhe të cilët duan të udhëheqin me plazhet, me siguri edhe nga pala tjetër ka persona që janë të interesuar”, shtoi Kotevski.

Kryetari i komunës së Strugës dhe kryetari i degës së BDI-së Ramiz Merko, hodhi poshtë pohimet e kreut të degës së VMRO DPMNE-së në Strugë. Ai tha se nuk ekziston ndonjë marrëveshje e tillë që do ndërlidhjes me menaxhimin e plazheve të qytetit.

“Nuk ka një marrëveshje të tillë. A do t’i takojnë disa nga plazhet anëtarëve BDI-së? Plazhet janë të lira dhe të gjithë kanë të drejtë të konkurrojnë, sipas dispozitave ligjore të tenderit. Pohoj se nuk kemi bërë asnjë marrëveshje, këtë nuk e lejon ligji. Për marrëveshje të atilla do të ketë dënime”, tha kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Nga Ministria e Transportit sot nuk dhanë sqarime se në cilën mënyrë do të bëhet ndarja e plazheve në Strugë, dhe se a do të mund të konkurrojnë vetëm anëtarë të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Vitin e kaluar çështja e menaxhimit të plazheve në Strugë, nuk ishte rregulluar. (alsat-m)
Shtuar më 26/01/2010, ora 15:48
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori