LSI: Deklaratat e stisura nuk ndihmojnë axhendën e integrimit
Lëvizja Socialiste për Integrim bëri sërish sot thirrje që klasa politike të kontribuojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani u shpreh se
90% e shqiptarëve sa herë pyeten në çdo sondazh apo çdo aktivitet tjetër i kësaj natyre deklarojnë qartësisht se e duan Evropën dhe se e duan Shqipërinë pjesë të Evropës sa më parë që të jetë e mundur.


"Kur mendon që sot në Bashkimin Evropian ka vende anëtare, popullsia e së cilës është me mbështetje shumë të ulet, më këtë përqindje jo e jo, është për të ardhur keq që shqiptarët nuk e kanë këtë mundësi që të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Arsyeja që perceptohet gjerësisht se pse Shqipëria nuk është anëtare e BE-së është sepse politika shqiptare nuk po arrin të harmonizojë sa dhe si duhet axhendën e saj me këtë interes madhor të Shqipërisë." shprehet Manjani.

Duke ju referuar edhe mesazhit të dhënë dje nga komisioneri Fule por edhe nga europarlamentari Kukan në lidhje, ai shprehet se mesazhi që marrim nga Bashkimi Evropian është bashkëpunimi politik.


"LSI ka qenë dhe mbetet e vendosur në të gjitha qëndrimet e saj politike dhe publike se bashkëpunimi politik në shërbim të integrimit është i domosdoshëm. Ndarja, debati shterp apo deklaratat e stisura në emër të politikës së ditës janë ata që na ndajnë dhe aspak nuk ndihmojnë axhendën e integrimit. Miratimi dje me konsensus absolut i marrëveshjes së TAP-it ishte dhe është padiskutim një mesazh shumë shpresëdhënës dhe shumë pozitiv që politika shqiptare i jep në radhë parë zhvillimit ekonomik të vendit, në radhë të dytë klimës së biznesit në vend në këto ditë të vështira për ekonominë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë globin. Është një mesazh që duhet ta japë edhe për çështje të tjera, është një mesazh që sigurisht duhet përshëndetur por kur mendon se në axhendën e parlamentit është në pritje për tu miratuar një amendim ligjor për Gjykatën e Lartë, një ligj i ri për shërbimin civil dhe një rregulloreje e Parlamentit që do të rregullonte sa më mirë interesat e përfaqësuesve politik të zgjedhur në këtë parlament dhe që ende nuk janë miratuar sigurisht kjo është për të ardhur keq. Është për të ardhur keq sepse shqiptarët nuk meritojnë mesazhe të tilla negative që e largojnë gjithnjë e më shumë interesin e tyre për integrim nga vetë Evropa." vijoi me tej Manjani.

LSI vlerëson se janë të gjitha kushtet jo më për tu marrë me çështjen e statusit por për të çelur negociatat për anëtarësim brenda këtij viti. /albeu.com/
Shtuar më 26/03/2013, ora 16:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori