Manjani shpërthen ndaj Bochardt: Gjeji vend atij gishti zoti Ambasador, të të vijë turp!
Ish-ministri Ylli Manjani ka reaguar ashpër pas nxjerrjes së gishtit nga ana e ambasadorit të OSBE-së, ndaj banorëve të Astirit, kryesisht gra, mbrëmjen e djeshme në ambientet përpara Drejtësisë së Policisë.

“Gjeji vend atij gishti zoti Ambasador! Këtë fyerje nuk ta kishim borxh. As ndonjë kusur nuk të kërkoi njeri! Të qenit diplomat nuk të jep të drejtë të fyesh askënd në shtetin ku shërben!

Ai gisht i ngritur, në fakt shpreh nivelin ordiner të një njeriu me nerva të lodhura, që nuk mund ta mbrojë por duhet ta ndëshkojë Konventa e Vienës.

Ai gisht në fakt shpreh krizën spektakolare që ka drejtimi i OSBE, drejtim i cili do ti besohet qeverisë më antidemokratike të vendeve anëtare të OSBE. Qeverisë që dhunon egërsisht qytetarët e saj dhe liritë Kushtetuese.

Ai gisht në fakt është një akt i pastër sinqeriteti, sepse tregon se sa i paanshëm është diplomati që medemek kujdeset për demokracinë, zgjedhjet, sigurinë e bashkëpunimin!

Pika i rëntë atyre që besojnë se ky gisht përpjetë do ndihmojë reformën zgjedhore!

Çfarë arroganti!

Kjo është e turpshme! Një akt i pastër rrugaçërie nga një përfaqësues me imunitet diplomatik!

Zhgënjim i madh që diplomacia Gjermane të përfaqësohet me një person të tillë!

Turp! Turp!Turp!Shame on you!”, shkruan Ylli Manjani në reagimin e tij të parë.

Reagimi i dytë i Manjanit:

Meqë ra fjala, a di njeri të spjegojë se me çfarë llogjike, për më tepër me çfarë mandati rri këtu Prezenca e OSBE?!

Përveç se për të parazituar dhe për të fyer Shqiptarët, anëtarë të Këshillit të Europës, të NATOS e të vetë OSBE, çfarë misioni tjetër kanë ata këtu?!

Si ka mundësi që vijon rutina e përhershme e këtyre parazitëve me imunitet diplomatik, që vetëm prishin punë?! Të gjithë pensionistët e ministrive të jashtme të ahteteve anëtare shfaqen këtu për të shijuar ditët e fundit të karrierës.

As siguri, as demokraci e madje as zgjedhje të lira e të ndershme nuk garantojnë dot. Dalin madje edhe kundër ODIHR që është pjesë e vetë ODBE!

Kulmi!

Shqipëria monitorohet mjaftueshmërisht nga çdo institucion ndërkombëtar e qeveri e interesuar. Prezenca e OSBE nuk afron asgjë as në këtë drejtim. Asgjë fare, fare!

Bën vetëm një përmbledhje të thashethemeve të gazetave çdo sabah dhe e shpërndan poahtë e lart pa asnjë përgjegjësi.

Shqipëria ka detyrime të përcaktuara si në institucione ku është anëtare, ashtu edhe para istitucioneve ku dëshiron të anëtarësohet. OSBE nuk ka më asnjë rol për të luajtur.

Prandaj është momenti ta falenderojmë këtë prezencë, për prezencën e saj dhe ta ftojmë të mbledhë leckat e të shohë për ndonjë shtet tjetër në nevojë për ta.

Shqipëria, megjithë problemet e thella demokratike, nuk ka nevojë për OSBE parazite.

Enough is enough!

P.s. Nuk mund të mos e përsëris revoltën time për atë fyerje të rëndë që bëri shefi pensionist i Prezencës së OSBE mbrëmë: Shame on You!

Shtuar më 14/10/2019, ora 11:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori