Manjani: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale mbrojnë politikanët nga SPAK!
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, ku ka deklaruar se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që po përgatiten të miratohen në Kuvend bëjnë që politikanët të mbrohen nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përgjatë shkrimit në Facebook ai shton se nuk ka vullnet politik për reformimin e gjyqësorit, ndërsa parlamenti është mbushur me deputetë që vetëm çirren në televizion për reformën dhe kanë për qëllim vendosjen e autoritetit të pushtetit të ri mbi gjyqësorin dhe jo ndërtimin e një gjyqësori që shërben shpejt dhe drejt.

STATUSI I PLOTE I MANJANIT

Përshëndetje,

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që po përgatiten të miratohen në Kuvend, nuk reformojnë thuajse asgjë! Thjesht mbyllin ndonjë shteg për të “pandehurite ardhshëm” të SPAK.

Që në fillimet e reformës në drejtësi kam folur për nevojën e ndryshimeve themelore në procedurat e gjykimit.

Janë procedurat ato që përmirësojnë apo përkeqësojnë jetën e çdokujt që kërkon drejtësi në gjykatë! Kam patur dhe kam bindjen se reforma reale në drejtësi është ajo që përmirëson shërbimin, prandaj theksova me forcë nevojën për proçedura të reja. Nisëm edhe punën për hartimin e tyre, madje.

Por Komisioni i Ligjeve ne Kuvend nuk ka vullnet për ta reformuar shërbimin gjyqësor. Janë ndalë gjatë tek çështje periferike (për sistemin, por të rëndësishme për zullumqaret) që prekin më së shumti “garancitë” që i duhen dhënë politikanëve për t’u mbrojtur nga SPAK dhe asnje zgjidhje për mijëra shqiptarë të thjeshtë që kërcenohen nga: arresti pa prova, zvarritja e gjykimeve, trajtimi i differencuar për raste te ngjashme, etj etj… janë marrë gjerë e gjatë me përgjime e dëshmi anonime, që mund të bëhen “shqetësim” për të hetuarit e ardhshëm të SPAK.

Reforma duhet të ndërtonte një shërbim hetimor që shkon tek autori vetëm nëpermjet Provës dhe jo nga autori të shkohet tek prova! Kështu e kemi sistemin edhe sot! Kështu e do ta ruajë ende Komisioni i Ligjeve! Pra ska reformë!

Njerëzit kishin nevojë për këtë reformë shumë më tepër sesa; kush emëron apo shkarkon gjykatësit e prokurorët! As kush i Vetton ata! Nuk kishin e as kane nevojë për të bërë tifozllëk se cila çadër do fitojë, ajo e zgjedhjeve apo ajo e vetting! Jo, sepse ato jane çadrat e politikës që nuk ndryshojnë asgjë në shërbimin gjyqësor!

Kodet e Procedurave ishin thelbi i reformës që kërkojnë njerëzit me shumë sesa ligjet që ndajnë kompetencat e pushtetit mbi gjyqësorin! Dhe këto kode nuk po ndryshojnë asgjë nga ky realitet!

E njëjta folozofi, po ndiqet edhe tek ndryshimet e Kodit Penal dhe te procedurës civile! Asgjë e re! Nuk jemi gati të ndryshojmë sistemin- thonë deputetët! Ky është parlamenti që vetëm çirret në media se do reformën! Por, në fakt nuk do të ndryshojë asgjë! Madje as qeverinë!

Ndoshta ky ishte qëllimi i kësaj reforme, të vendoset autoriteti i pushtetit te ri mbi gjyqësorin dhe jo të ndërtohej një gjyqësor që shërben shpejt dhe drejt!

Me dhimbje të pa masë e konsideroj këtë nismë të tyre për ndryshim të procedurave si:
Dështim! Dështim zhgënjyes madje!

P.S. Për të gjithë ata që kanë ende prirje të shohin tek mendimet e mia qëndrime të caktuara politike, i ftoj të heqin dorë, sepse në këtë çështje kam qenë dhe mbetem thjesht një jurist që desha të bëj diçka të mirë për sistemin! Për këto çështje as kam marrë, as marr e as kam ndërmend të marr izëm politik!/albeu.com/


Shtuar më 17/03/2017, ora 12:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori