Manjani: Ndërhyrja në KLD, e domosdoshme
Pëlqej
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani shprehet se ndërhyrja në Këshillin e Lartë të Drejtësisë është e domosdoshme .Gjatë një interviste në “Ora News”, ai theksoi se ndërhyrja ka për qellim t’i ndryshojë institucionit të pavarur kursin politik, të cilin ja ka dhënë vetë presidenti.

“Ajo që ka ndodhur me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dhe kjo është edhe një përgjigje për presidentin, po, patjetër që është një ndërhyrje e parlamentit, për të ç’politizuar drejtimin politik që i ka dhënë presidenti i Republikës Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, tha Manjani.

Ai deklaroi se nuk është një ngjarje që ligjërisht mund të motivohet lehtë, por sërish ndërhyrja është e domosdoshme. Ndërsa shtoi se sipas tij, po tentohet ç’politizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilin e ka pushtuar Partia Demokratike.

“Nuk është një ngjarje e lehtë, nuk është një ngjarje që ligjërisht motivohet kaq kollaj, por është e domosdoshme. Është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për të larguar të zhdrejtën, që të na jepet mundësia që të merremi me drejtësinë. Rregullat do të zbatohen, proçedurat do të zbatohen. Ne me gjithë forcat e nevojshme do të arrijmë të krijojmë një klimë ligjore të përshtatshme, por ndërhyrja është e domosdoshme dhe këtu të mos kemi asnjë iluzion.

Ashtu siç nuk është e vërtetë që po ndërhyjmë në pushtetin gjyqësor, - nuk është e vërtetë, është spekulim, sepse pushteti gjyqësor nuk ka të bëjë me KLD-në, pushtetin gjyqësor e bëjnë gjykatësit, që marrin vendime nga mëngjesi deri në darkë, – nuk është e vërtetë që po politizohet. Përkundrazi, po tentojmë të çpolitizojmë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilin e ka pushtuar Partia Demokratike” -tha Manjani.

I pyetur për ngjarjen ndodhur kohë më parë në parlament, dhunën e ushtruar nga deputetët e Partisë Socialiste, Ndoka dhe Ndreu, kundrejt deputetit e Partisë Demokratike, Strazimiri, u përgjigj:

“Nervozizmi është vënë re në disa episode, për hir të vërtetës kanë qënë të papranueshme.Nga nervozizmi shkohet dhe në dhunë. Dhuna është e paparanueshme. Ajo ngjarje ka qënë e shëmtuar dhe mbetet një ngjarje shëmtuar në jetën e parlamentit, për pasojë nuk kam asnjë reagim tjetër, përveç se të shpreh mbështetjen më të madhe për Prokurorinë e shtetit. Është në rastet e rradha që Prokuroria e shtetit po vepron”.
Shtuar më 27/09/2014, ora 11:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori