Manjani: Gjyqtarët s'mund të futen në një thes, duhet të merremi me ligjet difektoze
Teksa ka pranuar problemet me korrupsionin, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cilëson ligjet difektoze dhe keqshpërndarjen e gjyqtarëve në gjykatat e vendit si shkaqet e “së keqes” në sistemin gjyqësor. Ai shpreh nevojën për ndërtimin e një sistemi që të jetë i mbrojtur nga ndikimi i këtij fenomeni.

Sipas ministrit, një gjykatë e mbrojtur nga korrupsioni është garancia e vetme që të kufizohet pushteti politik dhe që të kufizohet apo luftohet korrupsioni në pushtetet e tjera. Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, ministri bën një analizë mbi thelbin e problemeve aktuale të gjyqësorit.

Organizimi i sistemit, sipas ministrit, nuk ka qenë kurrë eficient, por ai shton se shqetësim është edhe futja e gjyqtarëve në një thes. Manjani kërkon me ngulm edhe rishkrimin nga e para të Kodit Penal dhe të kodeve të procedurës penale e civile. Sipas tij, ndryshimet që kanë pësuar këto kode në vite, kanë krijuar papajtueshmëri, që u kanë dhënë mundësinë gjyqtarëve t’i interpretojnë sipas dëshirës.

“Mund të them që në sistemin gjyqësor kemi probleme me korrupsionin. E theksoj këtë, në sistemin gjyqësor. Kur flas për sistem, njerëzit janë pjesë e tij, por jo më të rëndësishmit. Ne duhet të fillojmë të kuptojmë se nga na vjen e keqja. Mendoj se e keqja në sistemin e drejtësisë na vjen: së pari, për shkak të ligjeve defektoze.

E dyta, për shkak të organizimit defektoz, i cili nuk ka qenë kurrë eficient. Për shembull, në Gjykatën e Kavajës kemi vetëm dy gjykatës. Dy gjykatës që e kanë të ndaluar të sëmuren. Janë të dënuar të mos sëmuren, sepse po të sëmuren na lënë dhe të arrestuarit jashtë burgut.

Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës kemi një mbingarkesë çështjesh. Kjo më lë të kuptoj që nuk e kemi ndarë mirë ngarkesën në punë. Nuk e kemi organizuar mirë sistemin gjyqësor, aty ku njerëzit kanë nevojë dhe nuk ua kemi bërë ligjet e thjeshta, të qarta dhe të painterpretueshme as gjyqtarëve e as njerëzve.

Kjo është analiza e parë që duhet bërë. E dyta, duhet të merremi dhe me gjyqtarët. Ata janë sigurisht prej mishi dhe gjaku, shqiptarë edhe ata, që shërbejnë në kushte jo shumë të favorshme hera-herës, të patrajtuar mirë financiarisht, por sigurisht kjo nuk është arsye për t’u korruptuar.

Korrupsioni në gjyqësor është shqetësim dhe është po aq shqetësim futja e gjyqtarëve në një thes. Kjo për shkak se përkufizimi i korrupsionit lidhet ngushtë me faktin se ai ndodh aty ku ka lekë. Aty ku menaxhohen fondet publike, aty ku merren vendime që u interesojnë njerëzve, aty është mundësia për korrupsion. Këto janë teorike, ndërsa kur individualizohet problemi, nëse dikujt duhet t’i thuash i korruptuar apo jo, kjo është një çështje gjyqësore. Këtë nuk ka të drejtë ta bëjë askush. Nuk mund t’i thuash askujt i korruptuar, nëse nuk e ka dënuar gjykata për korrupsion. Nëse ikim nga ky standard, atëherë kemi ikur nga standardi demokratik i parimit të prezumimit të pafajësisë. Këtë analizë e kam të panegociueshme, pasi është profesionale dhe jo për interes politik. Korrupsioni në Shqipëri është fenomen ende mik. Është i shtrirë thellë në kapilarët e çdo gjëje në këtë vend. Ne duhet të fokusohemi, si të ndërtojmë një sistem që të jetë i mbrojtur nga ndikimi i korrupsionit. Kjo duhet të ndodhë në radhë të parë për gjykatën. Sepse një gjykatë e mbrojtur mirë nga korrupsioni, është garancia e vetme që të kufizohet pushteti politik, që të kufizohet apo luftohet korrupsioni në pushtetet e tjera. Nëse gjykata dhe prokurori mbyll sytë për arsye korrupsioni, të jeni të bindur se as korrupsioni në qeveri nuk do të luftohet kurrë”, u shpreh ministri. /albeu.com/
Shtuar më 05/01/2016, ora 09:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori