Manastiri, Velesi dhe Ohri s’duan paralele shqiptare
Albeu.com
nga Laura PAPRANIKUTë pakta janë gjasat që shqiptarët e Maqedonisë qendrore dhe juglindore, të shfrytëzojnë të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, nëpër gjimnazet dhe shkollat e mesme të këtyre komunave edhe pse, prej shtatorit të këtij viti shkollimi i mesëm do të jetë i detyrueshëm për të gjithë. Ka mbetur vetëm një muaj nga afati i publikimit të Konkursit për formimin e paraleleve të vitit shkollor 2008/2009 dhe asnjë prej komunave Ohër, Manastir, Prilep dhe Veles, nuk ka kërkuar prej Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), formimin e paraleleve të mesme në gjuhën shqipe. Nga MASH nuk arritëm të sigurojmë asnjë informacion nëse posedojnë ndonjë “plan B” për t’ju siguruar nxënësve shqiptarë shkollim të mesëm në gjuhën e tyre amtare.
“Përgatitja e konkurseve bëhet në bazë të propozimeve që na vijnë nga komunat, konkretisht nga këshillat komunal”, arsyetoi vjet, ministri Sulejman Rushiti, moshapjen e paraleleve shqipe në këtë pjesë të Maqedonisë.
Gjeografia e arsimit shqip në këtë pjesë të shtetit, nuk ka lëvizur asnjë milimetër prej fshatit Zhitoshë, të Krushevës, ku në vitin 2001 u formuan paralelet e para shqiptare, të kuadër të gjimnazit të Kërçovës. Paralelet e disperzuara të Zhitoshës, u kanë mjaftuar përfaqësuesve komunal të Prilepit, që të vlerësojnë se “ato i plotësojnë nevojat e shqiptarëve për shkollim të mesëm”, ndërsa në komunarët e Manastirit, Ohrit dhe Velesit nuk lodhen për të gjetur qoftë edhe ndonjë alibi. “Nuk kemi kërkuar që të formohen paralele të mesme në gjuhën shqipe”, tha Svetlana Petrevska, përgjegjëse e sektorit për çështje arsimore në Komunën e Manastirit. Arsyet sipas saj janë të natyrës teknike. “Në asnjë gjimnaz dhe shkollë të mesme nuk ka hapësirë për hapje të paraleleve shqiptare”, tha Petrevska, ndërsa pohon se shqiptarëve u mungon edhe kuadri dhe numri i nxënësve. Ngjashëm prononcohen edhe në Komunën e Ohrit. Njeriu i parë i saj, Aleksandër Petrevski, tha se “në shkollat e mesme, regjistrohen nga dy-tre nxënës shqiptarë”. Prandaj, s’kemi kërkuar formimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. “Shqiptarët e Ohrit e regjistrojnë shkollën e mesme kryesisht në Strugë”, tha Petrevski.
Disponim për hapjen e paraleleve shqiptare, nuk kanë treguar as përfaqësuesit e Komunë së Çashkës, të cilët në shtator të 2006-ës bënë që të mos zbatohet vendimi për hapjen e dy paraleleve në kuadër të gjimnazit të Velesit. Kryetari i Këshillit Komunal të Çashkës, Boshko Dimovski, tha se “atëherë komuna nuk ishte pyetur fare për çështjen e paraleleve” ndërsa tani e hedhë fajin tek gjimnazi i Velesit dhe prindërit shqiptarë. Askush prej tyre, tha Dimovski, s’ka kërkuar të hapim paralele të mesme në shqip. (LAJM)
Shtuar më 01/03/2008, ora 16:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori