Manaj: Serbia mund te zbuloje te verteten per te zhdukurit nga Kosova
Albeu.com
Agjencia serbe e lajmeve Beta citon sot zëvendëskryeministrin e Kosovës, Ramë Manaj, të ketë thënë se zbulimi i varrezës masive afër Rashkës dëshmon gatishmërinë e Serbisë që të zbulojë të vërtetën mbi shqiptarët e zhdukur.
“Zbulimi i varrezës masive duket se tregon gatishmërinë e Serbisë që të ndriçohet e vërteta për të zhdukurit. Çështja e të zhdukurve mund të adresohet në Serbi dhe e Vërteta rreth kësaj mund të zbulohet në saje të Serbisë, meqë forcat serbe kanë organizuar çdo gjë që ka ndodhur (transferimin e kufomave), ka thënë Manaj.

“Kjo do të thotë se është reale të pritet që e vërteta për të zhdukurit nga Kosova, të cilët janë shpërndarë kudo në Serbi, të vijë pikërisht nga Serbia”, është shprehur Manaj, nga familja e të cilit po ashtu figurojnë të zhdukur disa anëtarë.

Sipas fjalëve të tij, pala kosovare ka pasur informacion se atje janë të varrosur 250 deri 400 njerëz.
“Një mihje zyrtare në atë lokacion është bërë në qershor të vitit 2007, por mihja u bë në vend të gabuar”, citon Beta Manajn.

Manaj ka rikujtuar se pala kosovare ka njohuri edhe për një varrezë tjetër masive afër Medvegjës, por hulumtimi dhe zbulimi i saj është çështje ekskluzive e Serbisë.

Sot është njoftuar se Prokuroria serbe për Krime Lufte dhe përfaqësuesit e EULEX-it kanë zbuluar bashkërisht varrezën masive buzë një hurdhe peshqish jo larg nga Rashka, dhjetë kilometra nga Kosova.

Beta citon prokurorin Vladimir Vukçeviq se operacioni për ekshumimin e trupave do të duhej të fillojë shpejt dhe se vlerësimet mbi numrin e viktimave janë në bazë të dëshmive dhe analizës së xhirimeve nga ajri.
Prishtina kohë më parë ka thënë se ka dëshmi për ekzistimin edhe të tri varrezave masive në territorin e Serbisë.
Shtuar më 10/05/2010, ora 14:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori