Fakte “historike”, pse amerikanët u çmendën këto ditë pas letrës higjienike

Kushdo që ka lexuar mediat ose ka “lundruar” nëpër rrjete sociale, me siguri që ka parë pafund video të amerikanëve të panikosur për letër higjienike. Washington Post raportoi se supermarketet janë zbrazur nga letra higjienike dhe online shiten me qindra dollarë. Por pse?

Ndryshe nga uraganët apo stuhitë, koronavirusi i gjeti në një farë mënyre të papërgatitur amerikanët. Presidenti Trump deri pak ditë më parë refuzonte ta merrte Covid-19 seriozisht ndaj shpallja e gjendjes së emergjencës shkaktoi panik.

“Ne si vend reaguam ngadalë. Deri vonë, njerëzit dinin se nuk ishte ndonjë problem i madh. Pastaj, papritmas, u thanë që të qëndronin në shtëpi pa afat,” tha psikologu Baruch Fischhoff për Time.

“Kur bëhet fjalë për veshje dhe ushqime, mundësitë janë të ndryshme. Nëse njerëzit nuk gjejnë ushqim, mund të blejnë ushqim tjetër. Por për letrën e tualetit nuk ka zëvendësues,” shtoi ai.

Që në lashtësi, njerëzit kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’u pastruar pas nevojave personale. Zgjidhjet më të zakonshme ishin: gjethe, myshk, lesh deleje, barishte etj., dhe më vonë – falë shtypshkronjës – gazeta, revista dhe faqe librash. Grekët e lashtë përdornin argjilë dhe gurë. Romakët përdornin sfungjerë më ujë dhe kripë. Por ideja e një produkti tregtar të dizajnuar për të fshirë prapanicën filloi pikërisht në SH.B.A.

Origjina e letrës higjienike është nga Kina, por Amerika e ktheu në industri, ndaj gjerësisht amerikanët konsiderohen si “shpikësit” e letrës së tualetit. Produktet e para të letrës higjienike qenë në formën e çarçafëve me fibra dhe aloe. Ato u shpikën në New York në vitin 1857 nga një sipërmarrës i quajtur Joseph Gayetty, i cili pretendonte se letrat e tij parandalonin hemorroidet. Gayetty ishte krenar për produktin e tij, por pati shitje të kufizuara dhe amerikanët nuk e përqafuan si zgjidhje.

Në 1890, dy vëllezërit Clarence dhe E. Irvin Scott popullarizuan konceptin e letrës higjienike si rulon. Ata ndërtuan një tregi të qëndrueshme duke shpërndarë letër higjienike në hotele dhe farmaci, por beteja për ta bindur publikun të blinte letrën higjienike në masë qe e vështirë.

Me kalimin e kohës, letra higjienike u bë një produkt i rëndësishëm amerikan. Por pranimi i gjerë si produkt nuk ndodhi zyrtarisht derisa erdhi teknologjia e re.

Në fund të shekullit XIX, gjithnjë e më shumë tualetët po ndërtoheshin me sisteme hidraulike të brendshme. Ndaj ishte e nevojshme që të banjë të hidheshin materiale lehtësisht të shpërbëshme.

Në fillim të viteve 1900, letra higjienike filloi të tregtohej edhe si produkt medicinal. Në 1928-n marka e quajtur Charmin e pajisi produktin me një logo femërore për të nxjerrë në pah butësinë dhe feminitetin, mënyrë kjo për të shmangur qëllimin e vërtetë të produktit. Deri në vitet 1970, amerikanët as që e mendonin më jetën pa letër higjienike.

Në dhjetor të 1973, Johnny Carson tha në “Tonight Show” një shaka për mungesën e letrës higjienike. Amerikanët nuk qeshën. Në vend të kësaj, dyqanet u zbrazën nga letra higjienike sepse të gjithë shkuan të blinin sa më shumë të mundnin.

Pyetja që lind natyrshëm është, nëse letra higjienike bëhet një produkt luksoz, a do të jetojnë amerikanët pa të?

Në fakt, njerëzit kanë jetuar pa letër higjienike për shumë gjatë. Madje edhe në ditët e sotme, shumë njerëz nuk e përdorin duke preferuar ujë të ngrohtë dhe intimo si praktikë e vetë-pastrimit. Qadaa’ al-Haajah, kodi i rregullave të higjienës personale të muslimanëve, parashikon vetë-pastrimin me ujë. Ndërkohë australianët përdorin në masë letrën higjienike sepse Australia është vend me klimë të thatë, ndaj e kanë si praktikë për të kursyer sa më shumë ujë. Ndërkohë nga ana tjetër, kulturat hindu dhe muslimane përdorin ujë për pastrimin anal. Vende të Europës dhe Amerikës Jugore përdorin bidetë për pastrim, të cilat jo gjithmonë kanë këtë përdorim.

Për t’iu përjigjur pyetjes, gjasat që amerikanët të jetojnë pa letër higjienike duket e pamundur. Mbi të gjitha, industria amerikane e marketingut është e fuqishme.


Shtuar 26.03.2020 09:55