Vettingu i pedagogëve, Berisha: Kërcënim ndaj elitës

Kërcënim ndaj elitës së kombit i konsideroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmërimin e Kryeministrit Edi Rama për kontroll të pasurisë për pedagogët.

Gjatë mbledhjes së konstituimit të departamentit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës në PD, kryedemokrati tha se kundërta do të ndodh dhe se do jenë pedagogët ata që do t’i bëjnë vettingun Ramës.

“I kërcënon si në diktaturë, do ju bëjmë vettingun. Do i bëjmë ne vettingun e Surrelit atij. E mori detyrën e kryeministrit me saraje 570 metra pa asnjë faturë, me gënjeshtra. Do ja bëjmë vettingun, pas asnjë diskutim. E shoqja thotë se e ndërtuam me para të ‘Kurbanit’, vetë thotë me të emigracionit. 5 mijë metra e ka parkun dhe ky flet për pedagogët”.

Ai tha se Kryeministri nuk ka moral kur flet për pasurinë e pedagogëve, teksa i përmendi sërish udhëtimet e tij me avion.

“Bën ky moral. Nuk ka Kryeministër të një vendi si ky që shëtit me avion në dispozicion, 150-300 mijë Euro udhëtimi. Pra ky tani do të shesë dhe moral”.

Ai ftoi edhe mjekët që nën shembullin e pedagogëve të ngrihen edhe ata në protesta për të shpëtuar sistemin shëndetësor në vend.