“Kam parë një luan”, qytetari “ngre në këmbë” policinë e Berlinit për… një lodër pellushi

Alarmi për një feline të rrezikshme që lëvizte e lirë është dhënë mbrëmë për herë të dytë brenda pak ditësh në Berlin. Pas luaneshës së supozuar që doli të ishte një … derr i egër, incidenti i fundit përfshinte një luan, por … një pellush.

Sipas gazetës BILD, një banor i lagjes Dahlem, në Berlinin perëndimor, ka raportuar në polici se ka parë një mace të rrezikshme në parkun Finken të zonës së tij.

Ekipi i policisë që ka shkuar menjëherë në vendngjarje ka konstatuar se bëhet fjalë për një kafshë false dhe ka sinjalizuar përfundimin e alarmit.

“Këtë herë nuk ka dyshim, nuk ishte një derr i egër”, shkruan policia e Berlinit në Twitter, duke e shoqëruar postimin me një foto ku shihet katërkëmbëshi i shtrirë në një “kuti” të një kompanie energjetike. “Qytetari që na telefonoi mendoi se ishte i vërtetë”, tha zëdhënësi i policisë.

Më 20 korrik, një forcë policie, veterinerësh dhe ekspertësh, me ndihmën e helikopterëve dhe dronëve, kanë kërkuar një luan që supozohej të lëvizte lirshëm në zonën në jug të kryeqytetit. Siç doli, ishte një derr i egër nga zona pyjore fqinje.


Shtuar 2.08.2023 18:58