Majlinda Bregu është penduar për ligjin që censuron mediat online
Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, e sheh si një skenar të çuditshëm rikthimin në axhendën parlamentare të ligjit për ndalimin e komenteve fyese në mediat online, që ajo e ka propozuar në janar të vitit 2015.

Bregu shpjegon se është njohur përmes mediave me vendimin për futjen në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit të këtij ligji, por nga kontaktet që ka pasur ka mësuar se ka qenë kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo, ai që ka kërkuar rikthimin e ligjit në komisionet parlamentare.

“Unë nuk jam njoftuar dhe vetëm sot jam vënë në dijeni nga gazetarët për përfshirjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit të propozimit tim të depozituar në Kuvend në janar 2015 për përgjegjësinë që mediat online kanë në publikimin e komenteve që cenojnë nderin, reputacionin dhe personalitetin e personit. Me sa u informova, rikthimin e këtij propozimi e ka kërkuar kryetari i Komisionit të Medias”, sqaron Bregu për "Panorama".

Sipas deputetes demokrate, ligji ka qenë i mbartur dhe nuk është një propozim i ri i saj, megjithatë mbetet një enigmë se edhe pse janë me qindra probleme që shqetësojnë vendin, është rikthyer një propozim përgjigjen e të cilit e ka dhënë Gjykata e Strasburgut.

“Për mua është një enigmë se përse ligji është rikthyer në axhendën parlamentare. Por dua të theksoj se ai nuk është një propozim i ri, por ka qenë i bartur që nga koha kur unë e kam propozuar. Është paksa e pakuptimtë që në një kohë që ekzistojnë me qindra probleme të tjera në vend, njerëzit janë të shqetësuar që nuk lejohen të shajnë me libër shtëpie në faqet e portaleve online. Shpresoj që të mos jetë ndonjë nga këta skenarët e çuditshëm që shpiken herë pas here. Thjesht dua të sqaroj se unë e quaj të kryer propozimin që nisa në janar të vitit 2015 me vendimin që ka dhënë Gjykata e Strasburgut për këtë çështje”, shprehet Bregu.

Edhe pse është propozuese e këtij projektligji, deputetja demokrate sqaron se nuk ka asnjë ftesë apo njoftim për mbledhjen e Komisionit të Medias lidhur me këtë propozim.

Për kryetaren e Komisionit të Integrimit në Kuvend, do të ishte anormale nëse ligji do të futej në axhendën e Komisionit të Medias, ndërkohë që vetë propozuesja nuk është njoftuar dhe vënë në dijeni.

LIGJI

Synimi i propozimit që Bregu ka bërë për ndryshime në Kodin Civil lidhet me pengimin që administratorët e faqeve online duhet t’u bëjnë komenteve fyese që persona anonimë bëjnë në faqet e tyre.

Deputetja demokrate propozon që administratorët e këtyre mediave online të jenë të detyruar me ligj që të pengojnë publikimin e çdo komenti që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi.

Sipas saj, propozimi lidhet vetëm për portalet elektronike dhe jo për mediat sociale “Facebook”, Twitter”, “Instagram” etj. Sipas Bregut, portalet elektronike në Shqipëri duhet të zgjedhin ose të praktikojnë modelin e mediave më të njohura botërore që nuk kanë hapësira për komente poshtë lajmeve që publikojnë, ose do të duhet të filtrojnë komentet që publikojnë duke mos lejuar cenimin e personalitetit apo të nderit të personave nga komentuesit anonimë.

Bregu deklaron se nuk tërhiqet nga parimi i propozimit të saj, por gjithsesi e sheh rikthimin e ligjit si një alibi për të tërhequr vëmendje.

“Prej korrikut 2015, kur Gjykata e Strasburgut dha vendimin për të ndalur komentet fyese, unë nuk jam marrë më me iniciativën. Qëllimi im ishte pikërisht ai që vendosi Strasburgu. Unë nuk tërhiqem nga parimi, por nuk shoh arsye nga askush për të tërhequr vëmendjen tani me propozimin tim”, sqaron Bregu. /Albeu.com/
Shtuar më 22/10/2016, ora 14:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori