Prokuroria e Lushnjes kërkon dënimin e Luiz Ejllit

Teksa Luiz Ejlli bënte lojën e tij në shtëpinë e famshme të BBV, jashtë bëhej një tjetër “Big Brother” me fakte rreth jetës së tij. Në atë kohë bëri bujë beteja ligjore, që ende e ka të hapur me drejtësinë, nisur në qytetin e Lushnjës dhe proces që vazhdon aktualisht në Prokurorinë dhe Gjykatën e Fierit, pas hartës së re gjyqësore dhe shkrirjes së gjykatës e prokurorisë në Lushnje.

FactCheck mëson se prej datës 26 dhjetor 2022 Luizi zyrtarisht është i pandehur për drejtësinë shqiptare si person i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve kryer në bashkëpunim. Sipas nenit 186 paragrafi i dytë për të cilin ai është marrë i pandehur nga prokuroria e Lushnjës referuar kodit penal rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burgim, në rast se do të gjendet fajtorë.

Drejtësia e akuzon Ejllin se me profesionin e noterit ai ka falsifikuar deklaratë noteriale për të justifikuar paratë e një personi që ishte në hetim. Kjo histori nis në vitin 2021 aty ku prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A si të pajustifikuara me burime të ligjshme.

Sekuestro e kërkuara asokohe nga prokuroria e Lushnjës do të pranohej nga gjykata më 28 nëntor të vitit 2021.

Pak muaj pas kësaj sekuestro shtetasi F.A i cili po ashtu është i bashkëpandehur me Ejllin ka depozituar një deklaratë noteriale bërë tek Noteri Luiz Ejlli. Më 25 shkurt 2022 shtetasi F.A paraqet në prokurori deklaratën noteriale e cila sipas tij ishte bërë tek zyra noteriale e Luiz Ejllit më datë 16 dhjetor 2015 dhe mbante të dhënat si në facsimile “nr 663 Rep, Nr 213 Kol datë 16.12.2015.

Kjo deklaratë sipas prokurorisë kishte përmbajtjen e marrjes së një huaje në dy këste nga 2008-2015 prej 151 mijë euro dhe 2011-2015 prej 60 mijë euro, para të cilat bashkëshortja e shtetasit F.A i kish marrë për të shlyer një kredi.

E pikërisht kjo deklaratë s’ishte gjendur në arkivat e ministrisë së drejtësisë në përgjigje të kërkesave për informacion, kërkesa në kuadër të hetimit pasurore që po kryente prokuroria e Lushnjës.

Kaq ka mjaftuar që prokuroria të krijojë dyshime se mund të ketë një shkelje ligjore dhe ka thelluar hetimet duke zbuluar zyrën noteriale të Luiz Ejllit e po ashtu dhe veprimet e bëra disa vite më parë.