REKORD/ Liverpooli siguron Championsin 3 muaj para fundit të kampionatit

I cilësuar si kampionati më i bukur në botë, ai anglez, ndryshe nga sa ishim mësuar në sezonet e kaluara ku gjithcka ndahej në javët e fundit të kampionat, po del shpejt në disa përfundime, kjo falë një Liverpooli të mrekullueshëm.

“The reds” kanë fituar 25 nga 26 ndeshjet e luajtura dhe nuk e njohin ende humbjen këtë sezon, duke u ngjitur në kuotën e 76 pikëve dhe duke vënë të dyja duart te titulli kampion, ndonëse duhet edhe pak që ta marrin matematikisht atë.

Megjithatë skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi me 12 javë të mbetura në dispozicion, ka 37 pikë diferencë nga Sheffield United, që mban aktualisht vendin e pestë.

Ky është një rekord absolut për kampionët në fuqi të Europës, që sigurojnë pjesëmarrjen në Champions që në mes të muajit shkurt dhe rreth 3 muaj para se të përfundojë kampionati, ndërsa Klopp mund të qëndrojë i qetë me statistikat e skuadrës së tij.

Kjo pasi Liverpool ka regjistruar 17 fitore radhazi, ka sulmin e dytë më të mirë (61 gola nga 65 që ka shënuar sulmi i City-t) dhe ka mbrojtjen më të mirë me vetëm 15 gola të pësuar, ndërsa skuadra që e ndjek është Leicester që e ka nxjerrë 26 herë topin nga rrjeta.

Nga fillimi i sezonit e deri tani Liverpool ka pësuar vetëm dy humbje, një në Champions përballë Napolit dhe një tjetër përballë Aston Villës në Carabao Cup, ku luajtën me skuadrën e të rinjve, për shkak të angazhimit në Botërorin për Klube.

Megjithatë duke qenë se tani fillon pjesa më e vështirë e sezonit, Liverpool mund të mbyllë shumë shpejt llogaritë me titullin kampion, pasi në rastin më të keq i duhen vetëm 15 pikë për të nisur festën dhe për t’u përqendruar në Ligën e Kampionëve.


Shtuar 16.02.2020 15:37