DETAJET/ E qëlluan sapo doli nga makina, ish-polici tentoi t’u fshihej autorëve por nuk ia doli përballë plumbave (VIDEO)

Janë zbardhur detaje të reja nga krimi i rëndë i ndodhur mëngjësin e sotëm në Laç ku persona të paidentifikuar i morën jetën shtetasit Xhelal Reçi, ish-polic, 60-vjeç. Atentati ndodhi para bizneseve të tij në këtë qytet, krim i cili ka lënë pas shumë gjurmë. Zonë përreth është mbuluar nga gjurma gjaku duke zbuluar faktin që ai ka tentuar t’iu largohet dy autorëve.

Ndaj Reçit është qëlluar me armë menjëherë sapo i ndjeri ka zbritur nga makina për të hapur qepenin e biznesit të tij, ndërkohë që edhe pse i plagosur ai ka tentuar që të fshihet mes dy objekteve, në mënyrë që tiu shpëtojë plumbave.

Por pavarësisht përpjekjeve ai ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërkohë që mjeti i tij Benz ndodhet ende në rrugën pranë biznesit. Autorët dyshohet se kanë qenë dy dhe të pamaskuar.

Rikujtojmë se një mjet “Toyota” është gjetur i djegur në afërsi të zonës së Milotit, dhe që dyshohet se është përdorur nga autorët. Policia nuk bën me dije nëse në mjet është gjetur apo jo arma e krimit, ndërkohë që janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Kurbinit./albeu.com/