"Luftë e hapur", ja si e injorojnë njëri-tjetrin Patozi e Felaj
Deputeti Astrit Patozi ka ironizuar ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, për faktin se vijon ta mbrojë Ramën për projektligjin që parashikon burg. Patozi e ka injoruar ministren, duke dalë jashtë salle.

Astrit Patozi: "S’kisha ndërmend të flisja, por qeveria të frymëzon. Ministrja Felaj të na qartësojë si ka ardhur në Kuvend kjo nismë. Kjo qenka vepër e vetë Edi Ramës. Shtypi ka fituar të gjitha betejat e tij me politikën. Asnjëherë pushteti s’ia ka dalë të nënshtrojë opozitën me ligj dhe e vetmja mundësi është autocensuar. Problemi i vetëm është që kemi një kryeministër jashtë kontrollit. Për vendin kjo është katastrofë, sepse i prish punë imazhit të vendit. Vetë Xhafaj tha një ditë që shpifja u hoq nga Kodi Penal, kurse tani do të duhet të mbrojë vetë të kundërtën".

Ermonela Felaj: "Ju si forcë politike, s’mund të bëni si flamurtarë të lirisë së shprehjes, që në të kaluarën tuaj keni plagosur gazetarë në protestën e 21 janarit, keni detyruar të kërkojnë azil, keni djegur gazeta. Keni raste të turpshme sulmesh ndaj gazetarëve. Jeni të fundit që duhet të flisni për këtë".

Astrit Patozi: "Për shkak të peshës që zini në këtë qeveri dhe në politikën shqiptare, e cilësoj të tepërt të vijoj të replikoj me ju. Mund ta konsideroni fyerje këtë dhe futeni tek ky ligji i ri që ju do të bëni".

Valentina Leskaj: "Kërkojini falje zonjës Felaj".

Astrit Patozi: "Meqë mu drejtuat qëparë që të kërkoja ndjesë, unë mund të kem shumë defekte, por nuk e kam as në natyrën dhe as në formimin tim që të fyej njerëz. Nëse ajo që unë thashë ka tingëlluar si fyerje, unë jam gati që të them se zonja Felaj nuk është ministre pa shumë peshë, por është ministre me peshë shumë të madhe në kabinetin e Edi Ramës; që të mos them që zonja Felaj nuk ka shumë peshë në politikën shqiptare, por jam gati të them që zonja Felaj ka shumë peshë në politikën shqiptare, madje të them që niveli i diskutimit të saj ishte shumë i mirë në ndryshim nga ai që unë mendoja përpara për të".

Ermonela Felaj: "Kompleksin që nuk je më kryetar i grupit tënd parlamentar, nuk mund ta zgjidhësh duke u marrë me gratë ministre me portofol apo pa portofol, ose duke peshuar njerëzit ti Astrit që s'dihet kush të voton. /albeu.com/
Shtuar më 12/11/2015, ora 15:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori