"Lufta" e bandave në Lushnje, u qëllua nga 3 armë të ndryshme
Pëlqej
Atentati i përgjakshëm në Lushnjë ka rikthyer në vëmëndje bandat dhe ngjarjet kriminale në këtë qytet.

Nga ky atentat kanë mbetur të vrarë dy shtetas dhe dy të tjerë janë plagosur.

Mësohet se persona të paidentifikuar hapën zjarr nga një makinë në ecje, duke qëlluar me breshëri nga tri armë të ndryshme drejt një lokali që ndodhet në lagjen “Loni Dhamo”.

Ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg komisariatit të këtij qyteti, ndërsa të vrarë mbetën shtetasit Jurgen Hoxha, 22 vjeç, dhe Zamir Latifi, 23 vjeç.

Gjithashtu i plagosur rëndë nga atentati ka mbetur Marius Xhepexhiu, 26 vjeç, i cili sipas të dhënave është pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja, shkruan Panorama.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar, Bujar Turku, 66 vjeç. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Ura e Përroit”, ku nga persona të paidentifikuar ende është qëlluar me armë zjarri automatik dhe si pasojë kanë ndërruar jetë dy shtetas, i plagosur rëndë ka mbetur një tjetër, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë edhe një kalimtar i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve, pa probleme për jetën.

“Viktimat janë shtetasit Z. L., 23 vjeç, dhe J. H., 22 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë. Shtetasi i plagosur rëndë është M.Xh., 26 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, i cili po transportohet për në Tiranë, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë shtetasi B.T., 66 vjeç”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Lushnjës në lidhje me këtë ngjarje.

Vetëm disa minuta pas krimit të rëndë, mësohet se në sallën operative të Lushnjës ka mbërritur një telefonatë nga ku sinjalizohej se në aksin rrugor Lushnjë-Berat po digjet një mjet.

“Grupi hetimor ka shkuar menjëherë ku ka gjetur në mjetin tip Benz tre armë zjarri automatike. Makina dyshohet se mund të jetë i autorëve. Është ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje”, bëri të ditur policia.

Policia gjeti në vendngjarje edhe një armë pistoletë, që i përkiste njërit prej viktimave, të cilën ai ka tentuar ta përdorë por breshëria e plumbave i ka marrë jetën. /albeu.com/
Shtuar më 12/10/2017, ora 15:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori