A do të ketë një “puç” kundër Joe Biden?

Para se inflacioni të niste të hante të gjallë ekonominë amerikane, një inflacion akuzash e kishte minuar ndërkohë zyrën e presidencës. Donald Trump ishte vetëm i treti president që ishte akuzuar. E megjithatë ai u akuzua dy herë: në dhjetor 2019 për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit; dhe në janar 2021 për “nxitje trazirash”, pas revoltës në Capitol Hill më 6 janar. Ka pasur debate nëse këto akuza kanë qenë të drejta apo të gabuara, por kjo nuk ka rëndësi tani.

Ajo që ka rëndësi sot është që Republikanët e panë që kundërshtarët politikë ishin gati të përdornin impeachment (ngritje akuze) si armë për të dëmtuar Komandantin e Përgjithshëm. Dhe tani duan hakmarrje.  Siç thotë Joseph Siracusa, studiues politik në Curtin University: “Është koha për shpagim”.

Më 8 nëntor, Amerika do të ketë zgjedhjet për Kongresin. Me ekonominë në rrezik, çmimet e karburantit pranë kuotave rekord, dhe një president demokrat popullariteti i të cilit vazhdon të bjerë, duket se Demokratët do të marrin një goditje shumë më të dhimbshme se ajo që mori Barack Obama më 2010. Nëse, siç pritet, Partia Republikane fiton Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmenët Republikanë do të jenë në gjendje të ngrenë akuzë. Nuk ka gjasa që Partia Republikane të fitojë supershumicën e nevojshme në Senat për të shkarkuar një President në detyrë.

Por Biden shqetësohet mjaftueshëm për sulmet e ardhshme legale kundër tij dhe ka pajtuar një avokat të nivelit më të lartë, Richard Sauber, si këshilltar special për përgatitjen e mbrojtjes. Dy vitet e ardhshme në politikën amerikane mund të jenë më të mbrapshtit e të gjitha kohëve. Joseph Siracusa mendon se Biden mund të akuzohet për tërheqjen e rrëmujshme nga Afganistani nën drejtimin e tij, por mund të jetë edhe për marrëdhëniet e dyshimta të biznesit të djalit të tij në Ukrainë e Kinë, apo krimi i lartë i neglizhimit të krizës në kufirin jugor.

Në epokën e inflacionit të akuzave, pothuajse çdo dështim presidencial – dhe Biden ka shumë – mjafton.

Sigurisht, Republikanët nuk duan detyrimisht largimin e Biden – duke parë avantazhin që udhëheqja e tij katastrofike iu ka dhënë në sondazhe. Është e mundur që të ketë shumë senatorë Demokratë që të dëshirojnë largimin e liderit të tyre plak e të sikletshëm e të vendosin të mbështetin akuzën për të vendosur dikë tjetër në vend të tij. Por atëherë, siç e dinë të gjithë, zëvendëspresidentja Kamala Harris ka rezultate edhe më të këqija se Biden në sondazhe. Demokratët nuk kanë ndonjë alternativë të mirë të dukshme. Kjo është arsyeja pse nuk shuhet kurrë ideja e Hillary Clinton si kandidate e përshtatshme presidenciale.

Por Republikanët ndoshta nuk do të jenë në gjendje t’i rezistojnë shansit për të goditur Biden. Ata e dinë, nga përvoja e hidhur, se një impeachment është një mënyrë e dobishme për të zhytur një presidencë e për të ndezur një dritë të shndritshme mbi opozitën. Plot 70% e votuesve Republikanë thonë se Dhoma e Përfaqësuesve duhet të ngrejë akuzën kundër Joe Biden pas zgjedhjeve për Kongresin.

Impeachment kurrë nuk kanë pasur qëllimin për t’u përdorur vazhdimisht si taktikë politike – fuqia e veshur Kongresit është si një mjet urgjence i shkruar në Kushtetutën e SHBA. Por presidenca e Trumpit e ndryshoi gjithë këtë. Tani, përherë e më tepër, nga ana tjetër e gardhit politik, ka mjaftueshëm shkelje për çdo shumicë Kongresi. Dhe është sistemi politik amerikan që duket se po thërrmohet.