LSI sot voton për kryetarin e ri, Meta në garë me Spahiun dhe Rrokajn
Lëvizja Socialiste për Integrim e kryesuar nga Ilir Meta gjatë ditë së sotme do votojë, për kryetarin e ri dhe delegatët e Konventës Kombëtare.

LSI-ja ka ngritur 225 qendra votimi në të gjithë vendin, që do të hapen në ora 8:00 e do të mbyllen në orën 18:00.

Kryetari dhe delegatët do të zgjidhen sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Kandidatët për Kryetar të LSI-së janë tre: Ilir Meta, Përparim Spahiu dhe Shezai Rrokaj.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, shpjegoi: "mbi 50 mijë që është numri i anëtarëve të LSI-së të rikonfirmuar, duhet të marrin pjesë nesër për të votuar për kryetarin dhe për delegatët e konventës."

Ai nënvizoi se pavarësisht këtij numri, janë një masë tjetër anëtarësh të LSI-së që për arsye kohe apo për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë mundur të aplikojnë për t’u pajisur me kartën e re të anëtarësisë: “Ata do të paraqiten pranë qendrave të votimit, dhe me një listë tjetër votuesish do të votojnë duke paraqitur kartën e vjetër të anëtarësisë apo një dokument që provon që ata kanë aplikuar për ta marrë kartën e re dhe nuk e kanë marrë ende, në mënyrë që votuesit e anëtar të LSI-së të kenë të gjithë të drejtën dhe mundësinë për të votuar dhe për të bërë zgjedhjet e tyre,” shpjegoi ai.

Në të gjithë Shqipërinë janë hapur 225 qendra votimi për të bërë të mundur që të gjithë anëtarët e LSI-së të shkojnë për të votuar. Rreth 5 mijë emra do të votohen te dielen për të nxjerrë prej tyre rreth 2500 delegatët e Konventës Kombëtare Zgjedhore. 50 % e atyre që do të zgjidhen do të jenë nga radhët e LGI-së dhe 30 % të tjerë do të përfaqësojnë strukturën e LRI-së në Konventën Kombëtare Zgjedhore.

Në këtë numër, pra në rreth 2500 delegatë nuk bën pjesë një numër delegatësh që vjen “ex officio” në Konventë, siç janë të zgjedhurit deputetë, të zgjedhurit kandidatë bashkish, të zgjedhurit në Këshillat e Bashkive, të cilët për shkak të mandatit të përfaqësimit që kanë si të zgjedhur nga populli në bazë të statutit janë automatikisht përfaqësues apo delegatë në Konventën Zgjedhore./Albeu.com/
Shtuar më 06/11/2016, ora 08:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori