LSI: Largimi i Priftit, jo i papritur
LSI e konsideroi largimin e Dritan Priftit nga kjo forcë politike si një lajm jo të papritur. Përmes sekretarit për marrëdhëniet me median, Lëvizja Socialiste për Integrim i uroi udhë të mbarë Dritan Priftit duke e konsideruar atë të marrë peng nga “Tan Lepri”.

“Nuk ishte i papritur dhe as përbën më lajm largim i Dritan Priftit nga LSI. I gjendur nën presion dhe i kapur peng, ikja e tij e paralajmëruar është në vazhdën e veprimeve të përcaktuara prej sjelljes së dhënë nga ata që e komandojnë si pjesë e veprimtarisë korruptive dhe kriminale”, tha Ardit Çela, sekretar për median në LSI.

“Udha e mbarë në rrugën që vetë zgjodhi dhe nëpër të cilën po ecën me revan të pakontrolluar më prej tij, por sipas shpejtësisë që ia percaktojnë ata që e kanë kapur dhe që e mbajnë peng”, pohoi më tej përfaqësuesi i LSI.

Ai vuri në dukje se LSI dhe veçanërisht Kryetari i saj Ilir Meta, me luajalitet dhe këshilla prindërore i dhanë Tan Priftit çdo shans dhe çdo mundësi të reflektonte e të kuptonte domosdoshmërinë për t’u çliruar prej pengmarrësve, por ai zgjodhi të ulej në të njëjtin prehër me Tan Lepurin. Punë për të!

“Duke bredhur nga një deputet në tjetrin si një pazarexhi i rëndomtë që mund të gjente edhe ndonjë si vetja në rradhët e mazhorancës, ai vendosi të ikë edhe i vetëm si një kamikaz i pashpresë i klubit të kokainës”, përfundoi sekretari për median në LSI, Ardit Çela. (albeu.com)
Shtuar më 12/10/2010, ora 18:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori