LSI: Japim dy variante per te dale nga greva
Pëlqej
Albeu.com
Administrim nga teknikë të pavarur për zgjedhjet ose përfaqësim të të gjitha partive parlamentare, janë dy opsionet e propozuara nga LSI në adresë të PS-PD.Ekipi mjekësor që qëndron non-stop pranë tyre raporton se Frrok Gjini, Spartak Braho dhe Ymer Tola janë në gjendjen shëndetësore më të rëndë. Mes tyre, Gjini është deputeti që ka vendosur ta përshkallëzojë grevën, duke mos pranuar tashmë të pijë as ujë.


Në ditën e gjashtë të grevës së urisë për lirinë e votës, të gjithë deputetët e ngujuar në Kuvend kanë pasur komplikacione. Ekipi mjekësor që qëndron non-stop pranë tyre raportoi dje se Frrok Gjini, Spartak Braho dhe Ymer Tola janë në gjendjen shëndetësore më të rëndë. Mes tyre, Gjini është deputeti që ka vendosur ta përshkallëzojë grevën, duke mos pranuar tashmë të pijë as ujë dhe as t’i nënshtrohet një kure me ilaçe. Ndërkaq, rreth orës 21:00, ligjvënësi Tola është çuar me urgjencë në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, edhe pse gjatë ditëve të ngujimit ai ka ndjekur rregullisht këshillat e bluzave të bardha. Personeli mjekësor raportoi dje në mbrëmje se dërgimi i Tolës në spital erdhi për shkak të përkeqësimit të sëmundjes së diabetit, debolesës së theksuar dhe luhatjeve të shpeshta të tensionit. Ndërkohë, pas bërjes së analizave dhe marrjes së ndihmës së duhur mjekësore, Tola është rikthyer sërish në ambientet e grevës së urisë, tek salla e seancave plenare.

Apeli
Deputetët grevistë janë vizituar gjatë paradites së djeshme nga kolegu i tyre me profesionin mjek, Sabit Brokaj, i cili pas disa ekzaminimeve mjekësore konfirmoi se gjendja shëndetësore e grevistëve është mjaft e rënduar, duke veçuar si më të rëndë gjendjen e deputetit Gjini. “Mospërfillja e kësaj greve po merr karakter kriminal dhe zbehet aspekti politik e ngrihet ai njerëzor. Kërcënohet jeta e deputetëve dhe në këtë pike, ata që nuk realizojnë zgjidhjen mbajnë përgjegjësi”, - u shpreh Brokaj. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti që shoqëronte Brokajn ne ambientet e grevës, bëri të ditur gjithashtu se është hartuar një peticion që përmban thirrjen për konsensus për daljen nga kriza, që është firmosur nga intelektualë të ndryshëm e që do t’i përcillet Presidentit Topi dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Kryeministrit, kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të PS-së.

Zgjidhja
Lëvizja Socialiste për Integrim ndërkohë ka konkretizuar kërkesat e saj për atë që e quan zgjidhjen e situatës. Administrim nga teknikë të pavarur për zgjedhjet ose përfaqësim të të gjitha partive parlamentare, janë dy opsionet e propozuara nga kjo parti në adresë të PS-PD. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha më konkretisht në një konferencë të posaçme për shtyp, se komisionet e qendrave të votimit, ato zonale, të grupeve të numërimit, si dhe KQZ, mund të ndërtohen duke marrë për bazë dy alternativa, të cilat LSI-ja i hedh për negocim. Si mundësi e parë është që këto komisione të jenë në të gjitha nivelet me përbërje teknike dhe si mundësi të dytë, atë të gjithëpërfshirjes në komisione në nivel parlamentar. Vasili e cilësoi të papërgjegjshme deklaratën e Kryeministrit Berisha, se për çështje të reformës zgjedhore, negocion vetëm me Partinë Socialiste. Sipas tij, ky është vetëm një pretekst për të prishur standardet e zgjedhjeve.

Kosova
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka dërguar dje një mesazh autoriteteve më të larta të shtetit e klasës politike shqiptare, në lidhje me grevën e urisë së 10 deputetëve. “Kosova është duke kaluar çastet vendimtare në procesin e ndërtimit të shtetit të ri dhe ballafaqohet me një sërë vështirësish të imponuara nga qarqet antishqiptare në botë. Greva e urisë, e sidomos degradimi i gjendjes së tyre shëndetësore zhvendos vëmendjen e opinionit shqiptar. Ju lus, miq të nderuar, që të ushtroni influencën Tuaj për gjetjen e një zgjidhje që do t’i jepte fund grevës së urisë dhe së bashku të kontribuojmë në avancimin e njohjes së shtetit të Kosovës”, - shprehet mes të tjerash Krasniqi. (G. Shqiptare)
Shtuar më 16/11/2008, ora 16:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori