Kurti: Nuk e lejoj bosnjëzimin e Kosovës, Serbia si Gjermania mes dy luftërave botërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin kroat “Veçernji List”, ka thënë se Serbia gjithmonë ngjason më tepër me Gjermaninë mes dy luftërave botërore. Ai ka shtuar se në Serbi nuk ka fare pluralizëm dhe se është vetëm një parti.

“Në Serbi nuk ka pluralizëm, ju keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ai shtet është edhe kisha. Ajo kishë është edhe partia. Nuk ka pluralizëm, ato po pretendojnë për demokraci në zgjedhje. Së fundmi Serbia ka rritur shumë shpenzimet ushtarake. Ajo shpenzon më tepër sesa pesë shtetet tjera në Ballkanin Perëndimor. Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë më tepër se Serbia. Nuk e bën këtë për shkak të Hungarisë e Rumanisë. Ky militarizim i Serbisë është shumë shqetësues për ne. Përshtypja ime është se Serbia i ngjan gjithnjë më tepër në Gjermaninë mes dy luftërave pas përfundimit të Republikës së Weimarit. Në dekadën e parë të këtij shekulli, ne kishim një version serb të Republikës së Weimarit, që nisi me ish-presidentin Boris Tadiq, e që nga atëherë kemi periudha ku Serbia ngjason në Gjermaninë mes dy luftërave, por pas përfundimit të Republikës së Weimarit dhe militarizimit është impulsi kryesor shtetëror dhe institucional”, tha Kurti.

Sa i përket dialogut, Kurti ka shtuar se po diskutohet për kapitullin e ardhshëm në dialog. Ai ka shtuar se që nga ardhja e tij në krye tash po dialogohet ndryshe, pasi konsiderohej se Kosova duhet bërë lëshime për të marrë njohjen nga Serbia. Por thotë se tash duhet të ketë një marrëveshje fillimisht me njohjen në qendër.

“Ne jemi duke diskutuar për dialogun e ardhshëm me Serbinë, kapitullin e ardhshëm të dialogut. Mungon përparimi dhe kjo nuk ka nisur me ne, por shumë më herët ka munguar progresi. Ne kemi theksuar se shumë mungon për shkak të qasjeve të gabuara. Janë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të cilat Gjykata Kushtetuese, nuk ka mundur t’i gëlltisë. Në këtë kuptim, ne kemi nevojë për një kapitull të ri, na duhet një qasje e re dhe duhet të jetë parimore, ku qytetarët do të jenë fitues me njohjen e ndërsjellë në qendër. Në dekadën e fundit konsiderohej se Kosova po bën lëshime për të marrë përfundimisht njohjen nga Serbia. Por ka ndodhur një ndryshim tektonik për të mirë. Pra, marrëveshja nuk do të jetë vetëm njohja reciproke, por nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke në qendër. Pra, jo në fund, në kuptimin e kohës, por në fokus, në aspektin e hapësirës që duhet të mbulojë marrëveshja. Një temë për të cilën jemi të gatshëm të angazhohemi sa më shpejtë është për të pagjeturit”.

Për idenë e shkëmbimit të territoreve Kurti ka thënë se nuk është në planet e tij dhe se këto janë ide vetëm të autokratëve, ndërsa për Asociacionin sërish ka thënë se nuk do të themelohet, pasi ka shtuar se nuk do të lejoj bosnjëzimin e Kosovës.

“Është në natyrën e autokratëve që mendojnë se mund të shkëmbejnë territore sikur të ishin pronë e tyre. Nuk jemi në mesjetë, me monarkë që i konsiderojnë territoret e shtetit si tokën e babait apo monarkut, e popullin si familje të atij që sundon. Ne jemi Republikë demokratike dhe kjo është arsyeja pse fitova zgjedhjet, pasi Kosova nuk do diçka të tillë. Unë mendoj se serbët nuk e duan një gjë të tillë. Atë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Që kur jam unë në Qeveri, ai nuk përmend zgjidhjet territoriale me shqiptarët, por dëshiron ‘bosnjëzim’ të Kosovës në formën e një entiteti autonom serb brenda Republikës sonë, që ta bëjë një shtet jofunksional dhe nuk ia doli këtu. Dhe nuk do të ndodhë. Beogradi gjithmonë ka qenë i zemëruar. Më 26 prill të vitit 1991, 14 komuna me shumicë serbe në BeH u bashkuan në Asociacionin e tyre. Më 9 janar të vitit 1992 shpallën pavarësinë. Më 28 shkurt 1992 ata krijuan një Kushtetutë, dhe përfundimisht më 14 dhjetor 1995, ata fituan njohje ndërkombëtare në Dayton. Duan ta përsërisin Bosnjën në Kosovë. Në Bosnjë e Hercegovinë kemi një shtet që nuk është Republikë, dhe brenda ka një Republikë që nuk është shtet. Beogradi në mënyrë të ngjashme dëshiron të bëjë në Kosovë. Nuk do të lejojmë një gjë të tillë. Për këtë shteti ka votuar për mua për të ndaluar bosnjëzimin”, tha Kurti.

Për aksionin në veri, Kurti ka thënë se ishte kundër kontrabandës e jo kundër ndonjë nacionaliteti.

“U drejtua kriminelëve që janë identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës së Kosovës. Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike, ata ndahen sipas veprimeve kriminale. Përkatësia etnike nuk i bën ata shënjestër e as imun. Asgjë nuk mund të shërbejë si mburojë kundër krimit”, ka thënë Kurti.

I pyetur nëse i frikësohej luftës, Kurti ka shtuar: “Tensionet sigurisht u rritën ndjeshëm, por jo për shkakun tonë. Ata donin të na frikësonin, të na kërcënonin. Por ne nuk u dorëzuam dhe në fund përfundoi gjithçka në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi një masë reciprociteti për tabelat e veturave. Pra, ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia ne nuk na pranon dhe nuk mund të kërkojë që ne ta pranojmë atë”.

Sa i përket Ballkanit të Hapur, Kurti është pyetur pse refuzon kategorikisht. Ai ka thënë se nuk mund të ketë Ballkan të Hapur kur Serbia është e mbyllur për Kosovën.

“Nuk na pranon pasaportat tona, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat apo vulat e Kosovës. Mund të kemi Ballkan të Hapur pasi Serbia të hapet për Kosovën. ‘Ballkani i Hapur’ më tepër ngjason në Ballkan të hapur ndaj ndikimeve nga lindja, veçanërisht nga ato ruse”, tha Kurti.

E për pretendimet e Serbisë se Kurti po dëshiron të formojë “Shqipërinë e Madhe”, kryeministri i Kosovës ka shtuar:”Nuk kemi nisur asnjë luftë në Ballkan në emër të ‘Shqipërisë së Madhe’. Përkundrazi jemi pushtuar dhe shtypur vetëm se jemi shqiptarë. Do të ishte mirë që Serbia ta shihte veten në pasqyrë dhe jo fqinjët e saj me dylbi ushtarak”.


Shtuar 22.11.2021 15:51