Anija "Oriku" niset për mision në "Mesdhe", lot dhe përqafime me marinarët (FOTO)

Sot anija Oriku është nisur nga Porti i Durrësit me në bord 21 ushtarakë shqiptarë, si pjesë e misionit për sigurinë e Mesdheut.

Të afërmit u ndanë nga 21 ushtarakët që do të monitorojnë nga sot situatën në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”.

Të pranishëm për përcjelljen në mision të anijes ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantët e forcave, ushtarakë dhe familjarë të efektivëve pjesëmarrës në mision.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se pasiguria në rritje në Mesdheun lindor e jugor, ka sjellë nevojën e një reagimi të përbashkët nga të gjitha vendet e Aleancës.

"Ngjarjet që ndodhin në Siri, Irak dhe jo vetëm, demonstrojnë rëndësinë që ka NATO për të qenë e mirëpërgatitur dhe e kudogjendur, për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme. Misioni ushtarak detar në detin Egje, midis dy vendeve tona aleate, Greqisë dhe Turqisë, është dëshmia më e mirë e unitetit dhe gatishmërisë që të gjithë vendet e NATO-s kanë. Dhe ju ushtarakë të anijes “Oriku”, po merrni pjesë në një nga angazhimet më të rëndësishme për FA-të tona, që nga nisja e procesit të anëtarësimit në NATO.

Prania jonë në detin Egje, në radhë të parë i takon solidaritetit që Shqipëria tregon ndaj fqinjëve dhe aleatëve. Ushtarakët tanë kanë qenë në çdo pikë të nxehtë të globit, por tani problemet janë afruar në kufijtë tanë. Dhe ne duhet të jemi aty. Pas vitesh të tëra arsimimi, pune dhe sakrifice, tani po i drejtoheni misionit tuaj të parë në ujërat ndërkombëtare. Deri dje, dalja jashtë vendit në mision ishte ekskluzivitet i Forcës Tokësore.

Dhe ne të gjithë e dimë mirë se vështirësitë në përgatitjen e këtij misioni të sotëm ishin të mëdha. Jeta në anije është nga më të vështirat e më sfiduese. Misioni në det të hapur po aq. Unë ju përgëzoj për çdo gjë që ju keni bërë deri më sot. Ekuipazhi i anijes “Oriku” përbëhet nga 21 ushtarakë të FA. Kjo anije do i bashkohet Greqisë dhe Turqisë, të cilët nën komandën e hollandezëve do të vijojnë kryerjen e operacioneve NATO". /albeu.com/
Shtuar më 21/11/2016, ora 20:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori