Lojrat e Fatit, publikohen rregullat e reja pas ndryshimit të legjislacionit
Miratimi i ligjit të ri “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” ka nxjerrë udhëzime të reja nga ministri i Financave që janë të publikuara në Fletoren Zyrtare.

Distanca

Rregulli i parë i ri është ai që ka të bëjë me respektimin e distancave të këtyre subjekteve nga disa institucione. Konkretisht, në zbatim të ligjit, shoqëritë e licencuara në fushën e lojërave të fatit nuk mund të ndërtojnë, blejnë, marrin me qira apo huapërdorje dyqane pranë institucioneve fetare, shkollave të arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë.

Largësia e mjediseve në të cilat ushtrohet aktivitet lojëra fati duhet të jetë jo më pak se 100 metra në vijë ajrore nga të gjitha drejtimet nga institucionet e sipërpërmendura. Distanca prej 100 metra në vijë ajrore nga të gjithë drejtimet përllogaritet ndërmjet pikave më të afërta të dyqanit ku ushtrohet aktiviteti lojëra fati me institucionet në fjalë.

Distanca ndërmjet pikave sekondare të subjekteve “Baste Sportive” të jetë jo më pak se 100 m në vijë ajrore në të gjitha drejtimet për adresat sekondare.

Organizatorët e licencuar të kategorisë “Baste sportive”, për pikat sekondare pranë të cilave zhvillojnë aktualisht aktivitetin e tyre janë të detyruar brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi (dje) të paraqesin pranë Autoritetit të Kontrollit të Lojrave të Fatit planin që identifikon pikat aktuale sekondare dhe masat që do të ndërmerren brenda afatit ligjor për respektimin e distancave sipas kërkesave të këtij udhëzimi.

Përllogaritja e distancave duhet të kryhet nga individë ose subjekte juridike që zotërojnë licencë profesionale në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim në profilin inxhinier-gjeodet.

Standardet
Sipas udhëzimeve të ministrit, pikat sekondare të shoqërive të licencuara në kategorinë e basteve duhet të plotësojnë kushtet dhe standardet minimale të mëposhtme:

Tabela identifikuese e pikës sekondare duhet të përmbajë logon me emërtimin e shoqërisë së licencuar dhe/ose logon tregtare; të afishohet në një vend të dukshëm të ambienteve të brendshme NUIS (numri unik i identifikimit të subjektit) origjinal i pikës sekondare, si dhe fotokopja e noterizuar e licencës për ushtrimin e aktivitetit në kategorinë e basteve; të afishohet në një vend të dukshëm të ambientit të brendshëm të pikës sekondare në një format minimum A4, mbishkrim i cili përmban mesazhe për luajtjen e lojërave në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojës së fatit, si dhe shanset reale për të fituar; mbishkrimi përmban dhe ndalimin për t’u futur apo për të luajtur në mjediset e pikave të basteve persona nën moshën 21 vjeç, shkruan Shqiptarja.com.

Shoqëritë e licencuara në kategorinë e basteve sportive/ Administratori i Basteve Sportive është i detyruar të mbajë Regjistrin e Lojtarëve për çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste për shuma të luajtura ose të fituara, që kalojnë vlerën 100 mijë lekë, si dhe të marrë e të ruajë të dhënat për identitetin e tyre për një afat jo më pak se 3 vjet nga momenti i regjistrimit të tyre; në hyrje të pikës sekondare të ushtrimit të aktivitetit, të afishohet orari i ushtrimit të këtij aktiviteti në përputhje me orarin e përcaktuar në rregulloren e lojës të miratuar;

Po kështu, shoqëritë e basteve sportive duhet të mbajnë në pikën ku ushtrojnë veprimtarinë një kopje të dokumentacionit, të cilin e ka depozituar pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për miratimin e hapjes së pikës sekondare sipas parashikimeve të udhëzimit për përcaktimin e procedurave të hapjes dhe të mbylljes së adresave sekondarebasteve sportive.

Shoqëritë e licencuara për zhvillimin e lojërave të fatit, përpara se të shesin, të lënë peng, të dhurojnë, si dhe të disponojnë në çdo formë tjetër aksionet, asetet, pasuritë apo makinat duhet të marrin miratimin e Autoritetit Mbikqyrës./albeu.com/

Shtuar më 20/01/2017, ora 09:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori