Loja me Gjilanin
Albeu.com
Gjilani po shndërrohet në rrëfim neveritës. Vendimi i Gjykatës Supreme u tret. KZAP sërish kërkoi rivotim. Kësaj radhe, demantoi veten për përmasat e parregullsive: nga 21 qendra votimi, zbriti në 11.
Qemajl Mustafa sërish padit KZAP’in në Gjykatën Supreme. Ai flet për shantazh dhe manipulim. E në KQZ thellohet konfuzioni. A ka fund kjo punë?


***

Gjilani ka hyrë në një rreth vicioz dhe askush nuk e di se kur dhe në ç’mënyrë do të zyrtarizohet kryetari i ri kësaj komune.

Megjithëse Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e KZAP’së që bënte thirrje për balotazh të ri për kryetar të Gjilanit, anëtarët e këtij komisioni kanë nxjerrë një vendim tjetër me të cilin sërish i sugjerojnë KQZ’së përsëritjen e votimit.

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë vendimin e parë të KZAP’së duke e cilësuar si joprofesional dhe të paargumentuar pas padisë së kandidatit të PDK’së, Qemajl Mustafa.

Një ditë pas publikimit të këtij aktgjykimi, një panel i KZAP’së prej tre gjyqtarësh – Muharrem Shala, Ymer Hoxha dhe Fahredin Ymeri - ka mbajtur të enjten një seancë, në të
cilën ka analizuar provat e dy hetuesve ndërkombëtarë për procesin zgjedhor në Gjilan.

Tani KZAP’ja ka zbutur vendimin e tij. Kjo ka irrituar edhe më shumë Mustafën.

Sipas tij, KZAP’ja sërish ka bërë një gabim shumë të madh dhe ka demantuar vetveten. “Në vendimin e parë thotë se 21 qendra janë problematike nga gjithsej 31, ndërkaq tash, në vendimin e dytë, KZAP’ja i numëron 11 qendra si problematike. Ato 10 të tjerat as që i zë ngoje. Për ato nuk përmend asnjë argument”, ka thënë Mustafa, të premten, për Express.

“Kemi të bëjmë me një trup që është skajshëm i ndikueshëm. Është sigurisht nën shantazh të caktuar. Është i manipuluar”, ka shtuar ai.

Mustafa u ka bërë një analizë argumenteve në të cilat thirret KZAP’ja. Ai thotë se provat e KZAP’së për 11 qendra votimi përfshijnë 1,254 vota nga gjithsej 35 mijë vota.
Nëse do të shpalleshin të pavlefshme të gjitha votat e kontestuara nga KZAP’ja, Qemajl Mustafa sërish prin me mbi 800 vota ndaj kandidatit të LDK’së, Fatmir Rexhepi.

“Do të thotë se KZAP’ja as tash nuk ka argumente për të udhëzuar KQZ’në për rivotim për shkak se edhe nëse konsiderojmë se në këto vendvotime paska pasur parregullsi, gjë që nuk qëndron, sepse KZAP’ja nuk ka sjellë argumente, prapë kemi një numër të vogël të votave të parregullta, pra 1,254 krahasuar me 35 mijë votues që kanë hedhur votën në Gjilan”, ka thënë Mustafa.

“Unë në çfarëdo varianti jam fitues. Por, problemi është se KZAP’ja e ka humbur udhën në oborr dhe është instrumentalizuar. Është një organizëm jo i pavarur që është nën kthetrat e dikujt”, ka theksuar ai.

Kandidati i PDK’së ka hedhur dyshime në kreun e KZAP’së dhe kryetaren e KQZ’së.

“Si duket, krejt nyja është lidhur rreth kandidaturës së tyre për Gjykatën Supreme, sepse edhe Nesrin Lushta, edhe Tahir Rrecaj, qenkan kandidatë për gjykatës të Gjykatës Supreme. Emrat e tyre janë diku në tavolinë të Presidentit (Fatmir Sejdiu) dhe ai nuk po e bën akreditimin e tyre”.

Të premten, Qemajl Mustafa ka përgatitur një padi të re kundër vendimit të KZAP’së dhe e ka deponuar në Gjykatën Supreme, sepse kjo gjykatë është instanca e vetme në bazë të ligjit që duhet të merret me vendime të KZAP’së.

“Edhe vendimin e dytë e kundërshtojmë si të pabazë, sepse nuk ka sjellë argumente të qëndrueshme. Ata thonë se disa procesverbale nuk janë nënshkruar nga dy e tre komisionerë, por në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Zgjedhor Komunal nuk ka pranuar asnjë ankesë se dikush nuk po dëshiron të nënshkruajë ndonjë procesverbal për shkak se nuk po i pëlqen diçka. Këto janë insinuata, inskenime, shantazhe”, ka thënë Mustafa.

Gjykatës Supreme i janë nevojitur pesë javë të marrë vendimin lidhur me padinë e parë të Mustafës ndaj KZAP’së. Në njërin nga nenet e Ligjit për zgjedhjet thuhet se lëndët që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhet të shqyrtohen me prioritet.

Në Gjykatën Supreme është edhe një padi lidhur me Gjilanin. Ajo e Fatmir Rexhepit, i cili ka paditur KQZ’në. Pa u sqaruar këto dy lëndë në gjykatë, vështirë se KQZ’ja do të gjejë rrugë për të vendosur për kryetarin e ardhshëm të Gjilanit.

KZAP-i “profesional”

Gjykatësit e KZAP’së nuk e dinë datën e saktë se kur është mbajtur raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Në dy vendimet për Gjilanin thuhet se zgjedhjet janë mbajtur më 13 nëntor. Përveç kësaj, të dyja vendimet janë përplot gabime gjuhësore. (nga Bekim Greiçevci, express)
Shtuar më 06/02/2010, ora 16:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori