Nga 5 misionet paqeruajtëse te grabitja e arit në Durrës, kush është ish-komandoja i arrestuar në Turqi për drogë

Kujtim Çeliku u arrestua në Turqi së bashku me efektivin e Rrugores, Florenc Bicerri pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Çeliku është një emër i njohur për policinë pasi ka qenë i akuzuar për vjedhje.

Në 2011 ai është arrestuar me akuzën e grabitjes.

Kujtim Çeliku, oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando” kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan.

Ai kërkohej prej muajsh me akuzën e grabitjes ndaj një biznesmeni në Durrës.

Kujtim Çeliku, 33 vjeç, atë kohë nga fshati Mullet i Tiranës u ndalua në shtëpinë e tij nga forcat e Komisariatit Nr.1.

Ndaj Çelikut kishte një urdhër- ndalimi nga Prokuroria e Durrësit, pasi në bashkëpunim edhe me 3 persona të tjerë akuzoheshin se kishin grabitur një biznesmen, i cili merrej me tregti floriri.

Ngjarja për të cilën ai akuzohej ndodhi në maj të 2017, pranë shtëpisë së biznesmenit me iniciale M.B., të cilit i kishin vjedhur çantën me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh.

Por, pas arrestimit, akuza për grabitje nuk ishte e vetmja që rëndonte mbi 33-vjeçarin Çeliku, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në Mullet të Tiranës, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli, që ai i mbante pa leje.

Sipas burimeve nga policia në atë kohë, kapteri Kujtim Çeliku po përgatitej për një tjetër mision paqeruajtës në Irak, që do të niste pas dy javësh.

Emri i Kujtim Muharrem Çelikut figuron në listën me 58 komando paqeruajtës, të cilët janë dekoruar në vitin 2003 me medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, dhënë nga Presidenti i Republikës.