Lleshaj i vë vulën ligjit për pushimin e policëve "barkderra": Do marrin 50 përqind të pagës
Policia e Shtetit do të lirojë nga radhët e saj efektivët që kanë mbushur moshën mbi 55-vjeç, që janë mbipeshë apo në formë jo të mirë fizike.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe ministri Sandër Lleshaj i cili shkruan se këta efektivë të cilët do të lirohen nga detyra, do të marrin 50% të pagës neto në momentin e largimit.

Gjithashtu edhe me përfitimet që u njihen me legjislacionin për pensionet e parakohshme në Policinë e Shtetit.

POSTIMI I PLOTE I MINISTRIT LLESHAJ

sot diskutuam në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend, projektligjin për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë, në rastet e lirimit para mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë.

Me këtë vendim qeveria shqiptare ka bërë një hap historik në përkrahje të Policisë Shqiptare.

Ata persona që do të duhet të largohen nga radhët e Policisë për arsye të moshës dhe të pamundësisë fizike, për të shërbyer në struktura ku kërkohet edhe kondicion i lartë fizik do të mund të trajtohen me:

1) 50% të pagës neto në momentin e largimit;
2) Përfitimet që u njihen me legjislacionin për pensionet e parakohshme në Policinë e Shtetit.

Në trajtë kumulative, praktikisht ata do të vijojnë të trajtohen afërsisht me të njëjtën pagë, sikur të ishin në shërbim aktiv në radhët e Policisë. Dhe pikërisht për këtë arsye, atyre mund t’u kërkohet që të jenë në dispozicion për të shërbyer në funksion të Policisë së Shtetit deri në 700 orë pune në vit.

Shkurt: Ky është një hap historik, prej të cilit nuk preket asgjë nga trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që kjo e fundit mund të përtërijë radhët e saj me oficerë të rinj dhe të arrijë një moshë mesatare si dhe Policitë e tjera moderne europiane.

Në të njëjtën kohë, së shpejti qeveria do të miratojë një hap tjetër reformues, i cili do të hapë rrugë për transferimin e punonjësve të Policisë edhe në poste pune brenda administratës shtetërore, kur plotësojnë kriteret përkatëse të arsimimit. Kjo do të hapë një tjetër mundësi për vijimin e karrierës për punojësit e Policisë së Shtetit në radhët e administratës shtetërore.

Për ata që kërcyen për të dhënë alarme të rreme, pa lexuar as projektligjin: Nuk mundet që në mëngjes të hakërreheni kundër “Narko-policisë” së “Narko-Shqipërisë” dhe në darkë të vajtoni për trajtimin e saj; që natën ta bombardoni me Molotov dhe ditën të përdëlleheni për fatin e saj. Jo!

Kjo lojë e pa-principtë nuk ka kuptim.

Policia e Shtetit është sot në një rrugë të kthellët modernizimi, e motivuar si kurrë më parë, e mbështetur maksimalisht, e vlerësuar me notat më të larta nga qytetarët e vendit dhe e besuar fort nga partnerët perëndimorë të Shqipërisë 🇦🇱👮👮‍♂️🇦🇱 /albeu.com/

Shtuar më 08/05/2020, ora 19:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori