Llalla takohet me prokurorin belg: Kemi zyrtarë të lartë në hetim dhe...
Belgjika ka qenë pista e parë e hetimeve për Klement Balilin. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u takua dhe diskutoi në Bruksel me homologun e tij, Prokurorin Federal të Belgjikës, z. Frederic Van Leeuë, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çështjet me rëndësi globale, ku fokusi kryesor ishin masat e përbashkëta për luftën kundër terrorizmit.

Burimet zyrtare thanë se në takimin e zhvilluar ditën e mërkurë, Llalla informoi homologun e tij lidhur me hapat e ndërmarrë nga autoritetet shqiptare për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shtetasve shqiptarë për konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Prokurori i Përgjithshëm ka rikonfirmuar qëndrimin se “vendi ynë do të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”.

Gjatë takimit, sipas zyrës për media, Llalla garantoi homologun e tij se autoritetet e larta shqiptare po tregojnë një interes të lartë për luftën kundër narkotikëve. Si shembull konkret për këtë angazhim, Prokurori i Përgjithshëm përmendi në takim edhe faktin që “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës”.

Duke iu përgjigjur interesimit të Prokurorit Federal të Belgjikës, kryeprokurori Llalla e informoi mbi ecurinë e procesit gjyqësor penal kundër ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për një vrasje në Belgjikë dhe hetimi ndaj tij është zhvilluar nga ana e autoriteteve belge.
Në një intervistë pas takimit me homologun belg, Llalla ka pohuar se Prokuroria shqiptare ka aktualisht në hetim zyrtarë të lartë që kanë dosje në Prokurorinë e Përgjithshme dhe te Krimet e Rënda.

Marrëdhënia e ashpërsuar, së fundmi, midis zoti Llalla me ambasadorin amerikan në Tiranë Lu, nuk është përmendur gjatë takimeve në Bruksel. Ndërkaq, mësohet se janë diskutuar aspekte të posaçme lidhur me zbatimin e ligjit “Për dekriminalizimin”, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

I pyetur nga TVSH në lidhje me takimin me homologun belg, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha se:

“Me Prokurorinë belge, ne kemi shumë raste të hetimit, kryesisht për trafikimin e lëndëve narkotike, për shfrytëzimin e prostitucionit, organizatat kriminale e çështje të tjera. Ndër rastet e bashkëpunimit më të frytshëm është së pari ai i njohur si çështja “Frroku”, ende në proces gjykimi momentalisht. Ish-deputeti Frroku është në përfundim të procesit të gjykimit dhe pritet dhënia e vendimit nga ana e gjykatës. Por, çështja e ditës që diskutohet sot në Shqipëri është çështja “Balili”, hetimi për të cilin ka nisur nga Prokuroria belge dhe ne vijojmë hetimet në Tiranë”, tha Llalla për TVSH.

Natyrisht, lufta kundër korrupsionit ishte ndër temat kryesore gjatë të gjitha takimeve të zhvilluara në Bruksel.

Çfarë po ndodh me dosjet e korrupsionit në nivel të lartë dhe kur pritet që Prokuroria të finalizojë këto dosje?

Çdo gjë është në varësi të rezultateve të hetimit. Prokuroria do të konkludojë në bazë të provave që do të mblidhen në fund të hetimeve. Kemi mjaft raste të kësaj natyre që janë në proces hetimi, si nga Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda për zyrtarët që janë kompetencë e kësaj prokurorie, dhe në rezultatet përfundimtare të hetimit do të vlerësohet përgjegjësia e zyrtarëve që janë nën hetim.

Meqenëse ju u takuat me drejtorin e OLAF, a keni ndonjë dosje të përbashkët hetimi për sa i takon abuzimit të fondeve të BE-së në Shqipëri?

OLAF është një ndër strukturat më të rëndësishme të Bashkimit Europian për hetimin e veprave penale të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të vetë Bashkimit Europian. Përvoja e tyre është një përvojë, të cilën ne duam ta sjellim në Shqipëri. Gjetëm mbështetje te zyra e OLAF për të vazhduar kontaktet në vijim, për të ardhur ata në Shqipëri dhe për të parë mënyrën se si mund të organizojmë një zyrë të tillë në Prokurorinë shqiptare, raporton Panorama.

A mund të nisë një hetim, p.sh., mbi abuzimin e fondeve të BE-së të përdorura për Reformën në Drejtësi, apo në rastin e diskutueshëm të vilës së ambasadores Vllahutin?

Ajo është kompetencë vetëm e kësaj zyre të BE-së për të hetuar zyrtarët e vet mbi mënyrën se si i përdorin këto fonde./Albeu.com/
Shtuar më 09/02/2017, ora 08:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori