Llalla takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Anti-Mashtrim në Bruksel
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ndodhet në Bruksel ku po zhvillon disa takime.

Gjatë vizitës së tij ai takuar dhe ka diskutuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Evropiane e Anti-Mashtrimit (OLAF) Giovanni Kessler të Komisionit Evropian, lidhur me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Llalla, informoi zotin Kessler lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Për Prokurorin e Përgjithshëm, lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye- theksoi Prokurori i Përgjithshëm- përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Evropian.

Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Evropian.

Drejtori i Përgjithshëm i OLAF, Giovanni Kessler është emëruar në këtë detyrë nga Komisioni Evropian në vitin 2011, për një mandat 7-vjeçar./albeu.com/



Shtuar më 07/02/2017, ora 14:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori